Botë

Ekspertët përfunduan autopsinë, nesër bëhet varrimi i Astrit Deharit

07.11.2016 19:31

Ekspertë të propozuar nga familja Dehari dhe ekspertë nga EULEX-i kanë kryer ekspertizën e trupit të Astrit Deharit...

Ekspertë të propozuar nga familja Dehari dhe ekspertë nga EULEX-i kanë kryer ekspertizën e trupit të Astrit Deharit, i cili të shtunën ndërroi jetë në burgun e Prizrenit. 
 
Për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes është diskutuar edhe sot në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri, Isa Mustafa, ka folur për hetime të pavarura për t’i ndriçuar rrethanat e vdekjes.
 
Edhe deputetët kërkuan nga organet kompetente që në kohë sa më të shpejtë dhe në mënyrë profesionale të zbardhin të vërtetën dhe të gjejnë shkaktarët e vdekjes së personit të paraburgosur.
 
Ka reaguar edhe Organizata për mbrojtjen e të drejtave të studentëve “Demokracia Studentore”, duke theksuar se “vdekja në rrethana të dyshimta e studentit, Astrit Dehari, është shumë me rëndësi për familjen Dehari, ashtu edhe për shoqërinë dhe çdo qytetar të Republikës së Kosovës”. 
 
“Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, do të varroset nesër në orën 14:00”,- ka bërë të ditur, Erzen Vraniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes. 
 
Paraprakisht, në orën 11:30 mbahet marshi nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë deri tek sheshi Skënderbeu.
 
Ndërsa në orën 13 mbahet mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar. Varrimi i Astritit bëhet në varrezat e fshatit Zllatar afër Matiqanit.
 
GYLTENE SINANI