Botë
Amerikanët zgjedhin sot presidentin e tyre të 45
08.11.2016 09:48
Pas një fushate të filluar një vit më parë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot mbahen zgjedhjet presidenciale....

Pas një fushate të filluar një vit më parë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot mbahen zgjedhjet presidenciale në cilat të drejtë vote kanë 230 milionë votues të regjistruar që do të zgjedhin pasardhësin e presidentit, Barack Obama.
Amerikanët të martën zgjedhin presidentin e 45 të tyre, si dhe nënpresidentin e 48, ndërkohë që për postin e presidentit garojnë demokratja, Hillary Clinton, republikani, Donald Trump, liberali, Gary Johnson, dhe përfaqësuesi i të Gjelbërve, Jill Stein.
Në bazë të sondazheve të fundit, kandidatja demokrate, Hilary Clinton, mund të fitojë garën dhe njëkohësisht të bëhet presidentja e parë femër në ShBA. Sondazhi i realizuar nga “Selzer&Co” i jep Clintonit një avantazh prej 3 për qind kundrejt rivalit të saj Trump.
Paralelisht me zgjedhjet presidenciale, amerikanët sot do të zgjedhin edhe guvernatorët në disa shtete të caktuara. Në votimin e hershëm, i cili u realizua ditë më parë në ShBA, votuan rreth 40 milionë amerikanë.
Fitorja në njërin nga shtetet përcakton mënyrën se si do të votojnë anëtarët e kolegjit zgjedhor, organ ky që realisht zgjedh kryetarin e ShBA-ve dhe i cili numëron 538 anëtarë. Në mënyrë që kandidati të shpallet fitues do të duhet të marrë shumicën absolute, konkretisht të së paku 270 elektorëve.
Paralelisht do të mbajnë zgjedhje edhe përfaqësuesit e Dhomës së Kongresit të ShBA-ve, që numëron 435 ulëse, ndërkohë që do të votohet edhe për 34 senatorë.
