Botë

Bllokohet autostrada Tiranë-Durrës, disa banesa rrezikojnë përmbytjen

08.11.2016 11:29

Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme të shumta, një prej të cilave është edhe bllokimi i disa prej akseve rrugore, siç është edhe autostrada Tiranë-Durrës...

Pas situatës së krijuar për shkak të reshjeve, me urdhër të ministrit, Saimir Tahiri, pranë çdo prefekture janë mbledhur shtabet e emergjencave. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në aksin rrugor Tiranë-Durrës janë përmbytur pjesë të ndryshme të autostradës, ndërkohë disa banesa në kthesën e Kasharit rrezikohen të përmbyten.
 
Bëhet e ditur se policia rrugore ka ndërhyrë duke evakuuar disa qytetarë të cilët kishin mbetur të bllokuar në makina. Aktualisht qarkullimi i automjeteve në drejtim të Durrësit bëhet vetëm nga rruga e vjetër e Ndroqit. Zonat më problematike për momentin janë: autostrada Tiranë-Durrës, kthesa e Kasharit-Vorë është e bllokuar nga vërshimi i ujërave, ku niveli i ujit tek kthesa e Kasharit ka arritur deri në 50 centimetra. 
 
Situatë problematike ndërkohë paraqitet edhe në aksin Lezhë - Shkodër, te Harku i Bërdicës, ku për shkak të vërshimit të ujërave të lumit Drin qarkullimi kryhet me vështirësi në drejtim të Velipojës.
 
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile u kërkon të gjithë qytetarëve të minimizojnë qarkullimin me automjete për shkak të situatës së krijuar, e të qëndrojnë larg lumenjve. Gjithashtu këshillohet që fëmijët të mos lëvizin të pashoqëruar nga të rriturit. 
 
Meteorologët ndërkohë parashikojnë se situata do të jetë e ngjashme përgjatë gjithë ditës së sotme, ku parashikohen shira të dendur dhe erëra.