Maqedoni
Kopshti “Fidani”: Rasti të zgjidhet në rrugë institucionale
08.11.2016 14:05
Ka arritur edhe zyrtarisht në Kopshtin “Fidani” ekspertiza mjeko-ligjore e kërkuar nga prindërit...

Ka arritur edhe zyrtarisht në Kopshtin “Fidani” ekspertiza mjeko-ligjore e kërkuar nga prindërit, të cilët i akuzojnë të punësuarat në këtë institucion për keqtrajtim të fëmijës së tyre dyvjecar në hapësirat e kopshtit.
Në tekstin e ekspertizës ligjore të lëshuar nga Instituti i mjekësisë ligjore në Shkup thuhet se: “Ndryshimet e ngjyrës së lëkurës-mavijosja,- janë në fazë të absorbimit, me ngjyrë të përzier gjelbër-verdhë ose të verdhë, që do të thotë se janë shkaktuar më së paku para pesë ditëve”.
Nga drejtoria e “Fidanit” përmes një kumtese thonë se i kanë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit, në bashkëpunim me organet kompetente komunale dhe Inspektoratin e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale.
Pas shqyrtimit të rastit, drejtoria e kopshtit ka konkluduar se duhen lënë organet kompetente të thonë fjalën e fundit për ta zgjidhur rastin dhe në rast të vërtetimit të fajësisë, të ndërmerren të gjitha masat ligjore.
Nga Kopshti “Fidani” apelojnë që deri në zbardhjen e rastit të mos manipulohet me opinionin e gjerë, të mos jepen vlerësime, akuza të pabaza dhe përfundime, por fjala e fundit t’u lihet institucioneve kompetente.
BELINDA KOKA-ADEMI
