Maqedoni
“Ndarja e shtetit nga partitë politike”: S’ka ndarje, partitë i diskriminojnë qytetarët
08.11.2016 16:20
Në Maqedoni nuk ekziston ndarje e prerë midis partive dhe shtetit, bëhet keqpërdorim i sistemit shtetëror dhe ekziston diskriminim politik...

Si pasojë e kësaj shkelen një mori ligjesh. Kështu u konstatua në konferencën me temë “Ndarja e shtetit nga partitë politike”, e organizuar nga Asociacioni qytetar “Most”.
Gjykatësja në Gjykatën Kushtetuese, Natasha Gaber Damjanovska, tha se në Maqedoni qytetarët diskriminohen nëse i përkasin ndonjë partie opozitare apo nuk i përkasin asnjë subjekti politik.
“Në opinion pranohet si normale dukuria se shansi i sigurt për t’u punësuar është nëpërmjet aktivizimit në partitë politike në pushtet. Tmerruese është se si shoqëria ndër vite është mësuar të funksionojë kështu duke u shkelur ligjet. I gjithë sistemi po shtrembërohet dhe gëlltitet aparati shtetëror, nuk respektohet sistemi i meritave dhe kjo kërcënon shkatërrimin e shoqërisë”,- deklaroi gjykatësja kushtetuese, Natasha Gaber-Damjanovska.
Ndërkaq, drejtuesi i Fondacionit “Fridrih Ebert” në Shkup, Frenk Hantke, thotë se qeveria duhet të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Sipas tij, shqetësuese është edhe financimi i partive politike.
“Si është e mundur që një parti nga Maqedonia të jetë më e pasur se partia më e pasur në Gjermani, kur partitë në Maqedoni nuk marrin para nga anëtarësia? Duhet të dihet qartë se nga vijnë paratë”,- u shpreh drejtuesi i Fondacionit “Fridrih Ebert”-Shkup, Frenk Hantke.
Eksperti i së drejtës kushtetuese dhe proceseve zgjedhore, Endrju Elis, konsideron se Maqedonia ka ligje të mira, por të njëjtat nuk zbatohen në praktikë.
“Maqedonia ka të nënshkruar konventa dhe deklarata me qëllim luftimin e korrupsionit, të drejtën për barazi, të drejtën për zgjedhje fer, sundimin e së drejtës, por megjithatë po vërehet mosrespektim i këtyre dokumenteve”,- theksoi eksperti i zgjedhjeve, Endrju Elis.
Pjesëmarrësit në konferencë thonë se është kohë e fundit që shteti të mbrojë qytetarët nga presionet e tilla, por edhe qytetarët të rrisin vetëdijen dhe të paraqesin trysnitë nga partitë politike. Sipas ekspertëve, synimet e tilla nuk duhet të jenë imperativ i zgjedhjeve të 11 dhjetorit, por i të gjitha cikleve zgjedhore.
MERAL ISMAILI
