Botë

Varroset Astrit Dehari, babai Avniu dhe Vetëvendosje kërkojnë drejtësi Kurti: Vdekja e Astritit e dhunshme, ai u ngulfat

08.11.2016 16:28

Me “Marshin për Drejtësi” në sheshin e Prishtinës dhe me homazhe pranë arkivolit të tij, 26 vjeçari, Astrit Dehari, u varros në fshatin Zllatar të Prishtinës...

Por, me varrimin e Astritit nuk përfundojnë dilemat për mënyrën e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje në burgun e Prizrenit. Babai i Astritit, Avni Dehari, dhe drejtuesit e Vetëvendosjes thanë se nuk do të lënë gur pa lëvizur që e vërteta për vdekjen e Astritit të dalë në shesh.
 
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se ata që të bënë që mos të jesh më fizikisht në mesin tonë deshën të ta bëjnë vdekjen të heshtur… Të jesh i bindur Astrit se drejtësia, lira e plotë dhe vetëvendosja, ëndërr shekullore e popullit tonë ndër shekuj, janë të gjalla, janë të forta dhe do të vazhdojmë deri në jetësimin e tyre. Fli i qetë se një ditë të gjitha këto do të bëhen realitet”,- deklaroi babai i Astrit Deharit, Avni Dehari.
 
Dilema për vdekjen e Astritit do të zgjidhet vetëm pas publikimit të rezultateve të ekspertizës së kryer dje në trupin e tij. Por, informatat e para flasin se nuk bëhet fjalë për vetëvrasje me konsumim të barëra, siç ishte njoftuar fillimisht nga zyrtarët e burgut.
 
Pas gati tre orë ekspertizë, mbrëmë kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë se pengesat në frymëmarrje mund të kenë sjellë vdekjen e 26-vjeçarit. Megjithatë, ende nuk dihen shkaktarët që kishin shkaktuar këtë asfiksim. 
 
Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bazuar edhe në prononcimet e mjekëve, shpreh dyshime se vdekja e Astritit është e dhunshme, përkatësisht se ai është ngulfatur. 
 
“Informatat e fundit që i kemi janë se ai ka përjetuar një vrasje të dhunshme në qelinë e tij e nuk bëhet fjalë për vetëvrasje. Pas obduksionit, mjekët shkencëtarë, të cilët gjatë tërë kohës e kanë vëzhguar, kanë dhënë konkluzion të përbashkët se shkaktar i vdekjes nuk ka qenë kurrfarë medikamenti, i cili do të mund të thoshte se gjendja e tij psikofizike ishte jonormale. Vdekja erdhi nga ngulfatja me një mjet të fortë dhe ky mjet i fortë ishte një shishe e plastikës që është gjetur në fytin e Astritit. Ishte aso shishe e foshnjave, e fortë. Mjekët kanë thënë se nuk kanë hasur kurrë një rast të tillë të vetëvrasjes”,- u shpreh Albin Kurti nga Vetëvendosje.
                                                                                                                             
Raportin e autopsisë do ta hartojë Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës, ndërsa mjekët e ftuar nga familja ishin vetëm në cilësinë e vëzhguesve. Por përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi, nuk ka përjashtuar mundësinë që raporti i autopsisë të dërgohet edhe në Angli për analizë të mëtutjeshme.
 
Ndërsa edhe analistë dhe personalitete të shumta në Kosovë dhe trevat shqiptare kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
 
GYLTENE SINANI