Maqedoni
Reshjet e shiut, përmbytje në disa rrugë, por jo edhe shtëpi; EPH:reshje intensive gjatë 24 orëve të ardhshme
08.11.2016 17:07
Reshjet e shiut në Shkup shkaktuan probleme në komunikacion, mbylljen e puseve kanalizuese dhe sërish përmbyti disa rrugë në Stajkovcë...

Ka disa rrugë të vërshuara, përfshi edhe grumbullimin e sasive të ujit në qarkoren e Shkupit, por nuk ka shtëpi të përmbytura në rajonin Hasanbeg-Stajkovcë, të cilat pësuan vërshime më 6 gusht.
“Sasia e ujit nëpër rrugë nuk është edhe aq e madhe. Deri tani në këto momente nuk ka rrezik për përmbytje”,- tha një qytetar.
Edhe në lagjet e Çairit situata është nën kontroll. Reshjet e shiut nuk shkaktuan probleme në Serovë, Çair, Fushë Tophanë dhe Vizbeg. Megjithatë qytetarët kanë frikë se vazhdimi i reshjeve mund të shkaktojë vërshime.
“Ekziston frika për të pasur vërshime të reja gjithmonë kur ka reshje të shiut, frikohemi mos kthehen ujërat e zeza nga rrjeti kanalizues dhe të mos përmbyten shtëpitë dhe podrumet tona sërish”,- u shpreh një qytetar.
“Gjendjen momentale e shihni edhe ju vetë, reshjet e shiut kanë filluar që mbrëmë, ndërsa rrjeti kanalizues është ndërtuar para 50 viteve”,- tha një qytetar.
Reshjet e reja që priten në 24 orët e ardhshme do të rrisin sasinë e ujit nëpër lumenj, alarmojnë nga Enti për Punë Hidrometeorologjike.
Sipas parashikimeve, duhet të kihet kujdes në zonat pranë lumenjve Drini i Zi, Radika, Vardar, Treska dhe Lumi i Zi, pasi dalja e ujit nga shtrati i lumenjve mund të shkaktojë vërshime.
REXHEP QAMILI
