Maqedoni
Zaev: listat tona janë avangardë për kohën
08.11.2016 17:21
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, është arsyetuar pas debatit që hapën listat e kandidatëve për deputetë të partisë që drejton...

Sipas tij, është mirë që ka debat, por me rëndësi është që të gjithë ata që e kundërshtojnë regjimin aktual të bashkohen kundër tij.
“Në listat tona ka edhe deputetë të mëhershëm edhe kandidatë të rinj për deputetë. Listat tona janë avangardë për kohën në të cilën jetojmë dhe në to ka shumë deputetë të pavarur. Qëllimi ynë ishte të hapnim debat për këto lista dhe ai filloi. Ne i ftuam të gjithë ata që kundërshtojnë këtë regjim dhe duan ta luftojnë, se janë të mirëseardhur të na bashkëngjiten”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Sipas Zaevit, nuk mundet që Maqedonia të ketë partinë më të pasur të Europës dhe qytetarët të jenë më të varfrit e Ballkanit.
Zaev premton se përkundër Gruevskit që lufton që paratë e qytetarëve të mbeten brenda familjes, LSDM do të luftojë që paratë e qytetarëve të hyjnë në xhepat e qytetarëve, duke ua kthyer me investime të hollat e tatimeve për të arritur zvogëlimin e dallimeve të mëdha mes shtresave sociale që ekzistojnë aktualisht.
GAZMEND REXHEPI
