Botë

Amerika voton, në mëngjes mësohet emri i presidentit të ri

08.11.2016 18:23

Amerikanët po votojnë në zgjedhjet presidenciale pas një fushate të gjatë dhe të ashpër, pas apeleve të fundit për votuesit të kandidates demokrate, Hillary Clinton, dhe atij republikan, Donald Trump...

Clinton i quajti zgjedhjet “sfidë e kohës sonë”, ndërsa Trump deklaroi se “sot është dita e pavarësisë për Amerikën”. 
 
"Vite më pas, kur fëmijët dhe nipërit e mbesat t’ju pyesin se si vepruat në vitin 2016 kur vendosej fati i vendit, do të mund t’u thoni se votuat për një Amerikë më të fortë, më të drejtë dhe më të mirë. Një Amerikë ku ndërtojmë ura, jo mure dhe ku mund ta vërtetojmë përfundimisht se dashuria fiton mbi urrejtjen”,- deklaroi kandidatja demokrate për presidente e ShBA-ve, Hillary Clinton.
 
“Fitorja do të sjellë ndryshimin e vërtetë në vend dhe do t’i japë mundësi klasës së mesme që të refuzojë politikanë të korruptuar dhe grupet e interesave që kanë mbizotëruar në vend. Prandaj, e para gjë që duhet të bëjmë është të heqim qafe Hillaryn. Ky do të ishte një hap i parë shumë pozitiv”,- tha kandidati republikan për president të ShBA-VE, Donald Trump.
 
Në ditën e zgjedhjeve, Hillary është përpara në sondazhe, ndonëse diferenca me rivalin, Donald Trump, nuk është e madhe. Europa e ndjek me shumë vëmendje procesin zgjedhor.
 
Nëse fiton Clinton, politika e saj e jashtme do të jetë më e orientuar drejt Europës. Për Clintonin, aleanca me partnerët e Kontinentit të Vjetër është e vyer.
 
Raporti me Rusinë nga ana tjetër do të jetë i keq. Demokratja e akuzoi presidentin rus se është përpjekur të sabotojë fushatën e saj në favor të Trumpit.
 
Sa i takon Lindjes së Mesme, Hillary është për një ndërhyrje të fortë në Siri e do t’i rikthehet propozimit të një zone të ndalim-fluturimit në këtë vend.
 
Nëse fiton Trump, si fillim një ndjenjë paniku pritet të pushtojë aleatët e Amerikës, si ata aziatikë, ashtu dhe ata europianë të NATO-s.
 
Partnerëve europianë Trump do t’u kërkojë që të paguajnë më shumë. Ndoshta do të mendohet dy herë gjithashtu përpara se të nisë një luftë tregtare me Kinën.
 
Marrëdhëniet me Vladimir Putinin premtojnë të jenë të mira, aq sa dikush druhet se Trumpi si president do t’i lerë Moskës dorë të lirë në Siri.
 
Por, ka mundësi që si president, Trumpi të mos i shkojë deri në fund idesë për kthimin e miliona emigrantëve të paligjshëm, sepse pasojat mbi ekonominë amerikane do të ishin të jashtëzakonshme. 
 
GAZMEND KURTISHI