Botë

Përmbytjet në Shqipëri, tre viktima, angazhohet ushtria, mbyllen shkollat

08.11.2016 18:45

Moti i keq në Shqipëri ka shkaktuar tre viktima. E para u njoftua këtë mesditë, ku policia deklaroi se 40-vjeçari, Xhevahir Ndoi, nga një fshat i Burrelit...

Moti i keq në Shqipëri ka shkaktuar tre viktima. E para u njoftua këtë mesditë, ku policia deklaroi se 40-vjeçari, Xhevahir Ndoi, nga një fshat i Burrelit, është përpirë nga rrjedha e ujit në banesën e tij teksa po përpiqej të shpëtonte nga dëmtimet materiale të shtëpisë dhe orenditë. 
 
Ndërkohë, në Tiranë raportohet se lumi i Tiranës ka nxjerrë në Babrru një person të pajetë, që mendohet se është rrëmbyer nga rrjedha e fuqishme e ujit. 
 
Në fshatin Sukë të Këlcyrës, raportohet për një 50 vjeçar të rënë nga çatia e banesës, si pasojë e erës së fuqishme.
 
Kastriot Spahiu ka qenë duke e rregulluar çatinë e shtëpisë që i ishte dëmtuar nga stuhia dhe është rrëzuar si pasojë e erës së fortë. 
 
Me urdhër të Ministrisë së Energjetikës janë hapur portat e shkarkimit të tre hidrocentraleve, ndërsa ujërat e lumenjve kanë dalë nga shtrati. 
 
Kryeministri, Edi Rama, mblodhi Komitetin e Emergjencave në Kryeministri, ku kërkoi që të merren të gjitha masat për përballimin e situatës së pazakonte.
 
Por, kreu i opozitës, Lulzim Basha, i kërkoi Ramës që të përvesh mëngët dhe të dalë në terren, sepse po luhet me jetët e njerëzve.
 
Situata është problematike në të gjithë veriun e Shqipërisë, ndërsa meteorologët parashikojnë shtim të reshjeve të shiut.
 
LULJETA NDOKA