Botë

KB: SHI rrëmbeu mbi 200 persona në afërsi të Mosulit

08.11.2016 21:11

Luftëtarë të grupit Shteti Islamik (SHI) në afërsi të Mosulit kanë rrëmbyer 295 ish-pjesëtarë të forcave irakiane të sigurisë dhe detyruan 1.500 familje...

Luftëtarë të grupit Shteti Islamik (SHI) në afërsi të Mosulit kanë rrëmbyer 295 ish-pjesëtarë të forcave irakiane të sigurisë dhe detyruan 1.500 familje t'i braktisin shtëpitë së bashku me banorët e Hama al Ali, njoftoi Komisariati i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut (UNCHR).
 
Rrëmbimet janë realizuar javën e kaluar në afërsi të Mosulit, ku forca proqeveritare irakiane, formacionet kurde dhe grupet militante shiite, të mbështetur nga aviacioni i koalicionit të kryesuar nga SHBA-ja, ndërmorën ofensivë për çlirim të qytetit, që dy vite është nën kontroll të SHI-së.
 
"Duket se njerëzit dhunshëm janë shpërngulur ose rrëmbyer me qëllim që të shfrytëzohen si mbrojtje ose janë vrarë", deklaroi zëdhënësja e UNCHR-së, Ravina Shamdasani.
 
Ajo theksoi se qindra anëtarë të forcave irakiane të sigurisë janë rrëmbyer rreth mesnatës më 3 nëntor nga fshati Mavali, rreth njëzetë kilometra në perëndim të Mosulit. Njëqind e nëntëdhjetë e pesë të tjerë janë rrëmbyer midis 1 dhe 4 nëntor nga fshatrat në qarkun Tal Afar. Familjet e rrëmbyera janë dërguar në aeroportin në Mosul, theksoi Shamdasani, duke shtuar se fati i tyre është i panjohur.
 
KB ka informata edhe se të paktën 30 sheikë janë rrëmbyer në qarkun Sinxhar më 2 ose 3 nëntor dhe janë dërguar në një vend të panjohur, ndërsa ka edhe informata të pakonfirmuara se 18 persona nga të rrëmbyerit janë vrarë më 4 nëntor në Tal Afar