Botë

Zgjedhjet presidenciale, Donald Trump president i ri i Amerikës

09.11.2016 09:08

Donald Trump, biznesmen miliarder, i fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara...

Trump, manjat i pasurive të patundshme, pa përvojë politike, ka mposhtur rivalen demokrate, Hillary Clinton, e cila me anë të një telefonate ka uruar rivalin e saj për fitoren. Trump, në fjalimin e tij pas fitores, tha se tani është koha që amerikanët të bëhen bashkë përsëri dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë të Amerikës.
 
“Sapo mora një telefonatë nga Hillary Clinton dhe ajo na përgëzoi të gjithëve për fitoren tonë. Unë e falënderova atë për fushatën elektorale të ashpër që zhvilluam bashkë. Hillary ka punuar gjatë dhe i shpreh mirënjohjen për atë që ka bërë për vendin tonë. Është koha që Amerika të shërojë plagët e përçarjes dhe republikanët dhe demokratët përgjatë vendit të bëhen bashkë si një komb i bashkuar. Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Premtoj të punoj edhe me ata që nuk më mbështetën për të bashkuar vendin tonë të madh. Fushata jonë ishte një lëvizje e madhe, nga njerëz që duan një vend më të mirë për veten, familjen. Është një lëvizje që përfshin të gjitha racat, gjinitë, fetë për ta bërë Amerikën të madhe sërish”,- deklaroi Donald Trump.
 
Për republikanët është një fitore e dyfishtë, pasi që përveç udhëheqjes me Shtëpinë e Bardhë, ata do të marrin kontrollin edhe të Senatit dhe të Kongresit në Amerikë. Me këtë zgjedhje, Trump theu edhe një rregull të pashkruar në zgjedhjet presidenciale amerikane. Ai është presidenti i parë që zgjidhet pa mbajtur më parë ndonjë post apo detyrë publike në administratë apo i zgjedhur senator a anëtar në Kongres. Donald Trump do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar të vitit 2017, pas votimit në Kongres. Trump tanimë ka filluar të marrë edhe urimet e para për fitoren. 
 
Presidenti rus, Vlladimir Putin, e ka uruar me anë të një telegrami presidentin e ri amerikan, duke i uruar sukses në përgjegjësinë që me vete bart postin e presidentit. 
 
Urimet erdhën edhe nga Bashkimi Europian. Kryetari i Parlamentit Europian, Donald Shulc, tha se votuesit amerikanë folën. “Fitorja e Trampit është e padyshimtë dhe duhet respektuar. I uroj partisë republikane për fitoren”. 
 
Ndërsa shefja e politikës së jashtme europiane, Frederika Mogresini, tha se BE dhe ShBA-të do të vazhdojnë bashkërisht të punojnë. “Lidhjet mes BE-së dhe ShBA-ve janë më të thella se çfarëdo ndryshimi në politikë”,- vlerësoi Mogerini. 
 
Edhe kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk, ka uruar Trumpin për fitoren.