Presidenca Trump, 5 ndryshimet që prekin gjithë botën
Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara mund të ndryshojë marrëdhëniet e vendit më të fuqishëm me pjesën tjetër të botës...
Një analizë e BBC-së mundohet të shpjegojë se cilat do të jenë pesë ndryshimet kryesore nëse Trump mban premtimet e bëra përgjatë fushatës.
Tregtia e lirë është e para që do të preket. Trump ka kërcënuar me anulimin e disa marrëveshjeve tregtare, përfshirë këtu traktatin NAFT, të nënshkruar mes ShBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, dhe të cilin Trump e akuzon për humbjen e vendeve të punës në ShBA.
Ai ka sugjeruar largimin e ShBA-ve nga Organizata Botërore e Tregtisë. Favorizon taksat e larta të importit dhe ka folur për 45 për qind taksë për mallrat që importohen nga Kina dhe 35 për qind për ato që importohen nga Meksika, me qëllim të pengimit të emigrimit të kompanive amerikane në vende me kosto të ulët prodhimi.
Pakti i Parisit për klimën, i nënshkruar në dhjetor të 2015 nga 195 vende të botës, mund të ndryshojë. Tramp ka premtuar se do të ndalojë të gjitha fondet amerikane për programet e ngrohjes globale të OKB-së. Largimi i Amerikës nga kjo marrëveshje nuk e cenon paktin gjithsesi, largimi i vendit më të fuqishëm do të ishte një goditje e rëndë për të.
Ndaj emigracionit Donald Trump ishte shumë i ashpër fillimisht, por sa më shumë afrohej data e zgjedhjeve, aq më shumë zbutej ai në këtë drejtim.
Sot është ende e vështirë të parashikohet nëse do të realizojë deklaratat e famshme për murin e madh me Meksikën apo për dëbimin e mbi 11 milionë emigrantëve të paligjshëm.
Kishte edhe një qëndrim të ashpër kundër myslimanëve, të cilët tha se nuk do t’i lejojë të hyjnë në ShBA. Edhe ky qëndrim u zbut së fundmi, kur deklaroi se i referohej ekstremistëve nga disa vende të caktuara të globit, por pa i përmendur vendet.
NATO-n Trump e ka cilësuar si një organizatë “demode”, ku vendet anëtare mosmirënjohëse përfitojnë nga fondet amerikane. Amerika nuk mund të përballojë koston e mbrojtjes së aleatëve të saj në Europë dhe Azi, pa u kompensuar.
Për këtë ai sugjeroi se mund të tërheqë menjëherë trupat amerikane nëse vendet anëtare të NATO-s nuk e plotësojnë detyrimin e shpenzimit të 2 për qind të GDP-së për ushtrinë.
Ka deklaruar se mund të zbusë tensionet me Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin, që shpesh e ka lëvduar si një lider të fortë, me të cilin do të pëlqente të kishte një raport miqësor.
Nuk ka folur për forma konkrete bashkëpunimi me Moskën, përveç dëshirës për një aleancë mes dy vendeve kundër ISIS-it.
Këmbëngulte se me të në krye të Shtëpisë së Bardhë, respekti i Putinit për Shtetet e Bashkuara do të jetë më i madh sesa me Hillary Clinton apo Barack Obamën.
