Maqedoni
Platforma e Lëvizjes “Besa”, Kasami: I nevojshëm ridefinimi me marrëveshje të re. Analistët kundërshtojnë
09.11.2016 14:58
Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, në emision “Argument” në TVM2 deklaroi se Maqedonisë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit...

Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, në emision “Argument” në TVM2 deklaroi se Maqedonisë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit i duhet ridefinim i rendit kushtetues, financave publike dhe sferave të tjera.
Bilalli shprehet se për realizimin e këtyre synimeve nevojitet marrëveshje e re midis Lëvizjes “Besa”, si promotore e kësaj ideje parazgjedhore, dhe partisë maqedonase e cila do t’i fitojë zgjedhjet. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit duhet zëvendësuar me marrëveshje të re, me kërkesa që i korrespondojnë kohës.
“Ridefinimi i këtij shteti është një nevojë e patjetërsueshme për të ecur një hap përpara… Marrëveshja e Ohrit është një eksperiencë shtesë, jashtë asaj që ishte rregullimi shtetëror i Maqedonisë në vitet e ‘90-ta dhe ‘45-ta të shekullit të kaluar, është një eksperiencë shtesë se Maqedonisë i duhet një marrëveshje e re midis dy komuniteteve shqiptarëve dhe maqedonasve në kohë të paqes, kur që të dy komunitetet do të jenë të orientuara kah e ardhmja europiane e këtij vendi dhe jo për të ndërprerë një konflikt të armatosur dhe për të stabilizuar shoqërinë”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Por, analisti, Xhelal Neziri, thotë se është jashtë çdo logjike që të synohet arritje e marrëveshjeve të reja, përderisa Marrëveshja e Ohrit e jep mundësinë e rindërtimit.
“Është e palogjikshme që nëse një marrëveshje nuk implementohet, unë pajtohem se për këtë ka faj më të madh Bashkimi Demokratik për Integrim, të hidhet ajo marrëveshje si e panevojshme ose si e pavlefshme. Nëse lexohet deri në fund, Marrëveshja e Ohrit është një platformë e cila mund të mbindërtohet”,- theksoi analisti politik, Xhelal Neziri.
Dilema për zbatimin e platformës së Lëvizjes “Besa” për ridefinim të shtetit shfaq edhe publicisti, Emin Azemi. Sipas tij, duhet qartë të definohet synimi i tyre politik.
“Nuk mendoj se ridefinimi nënkupton rrëzimin dhe anashkalimin e gjithë asaj që është arritur deri më tani, madje është e gabueshme të flasim për Marrëveshjen e Ohrit kur ajo është integruar në kushtetutë dhe është mirë të shohim se cilat janë zbrazëtirat e asaj kushtetute. Tani këtu është dilema, Lëvizja “Besa” a do të bëjë mbindërtimin e kushtetutës apo do ta rrëzojë komplet kushtetutën”,- theksoi publicisti, Emin Azemi.
Lëvizja “Besa” ditëve në vijim pritet që të publikojë edhe listat e deputetëve në gjashtë njësitë zgjedhore, që sipas Kasamit pritet të jenë figura të reja të politikbërjes.
Ndërkohë që nuk parashikohet zgjerim i frontit opozitar jashtëparlamentar, që për analistët politik në ditën e votimit mund të shpie vetëm në përçarjen e votës shqiptare.
MERAL ISMAILI
