Problemet pas reshjeve, dezinfektohet objekti në Kopshtin “Lulja”

09.11.2016 15:36

Reshjet e shiut kanë shkaktuar problem në disa objekte mësimore në Çair....

Reshjet e shiut kanë shkaktuar problem në disa objekte mësimore në Çair. Sot, një pjesë  e fëmijëve të Kopshtit “Lulja” janë kthyer pas nga edukatoret, pasi uji që ka hynë në podrumin e objektit ka shkaktuar problem në sistemin e ngrohjes.

Punonjëset e këtij objekti sot kanë pastruar dhe dezinfektuar ambientet dhe prej nesër përkujdesja e fëmijëve do të vazhdojë normalisht.

“Në pjesën e poshtme të çerdhes, gjegjësisht te podrumi, kemi pasur probleme me ujin. Aty ku janë pajisjet e ngrohjes ka qenë e mbushur me ujë nga reshjet e mbrëmshme të shiut, por këtë çështje sot e kemi të rregulluar, ndërsa prindërit kanë pasur mundësi që t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi, kurse nesër çerdhja do të funksionojë në mënyrë të rregullt”,- deklaroi  përgjegjësja e Kopshtit “Lulja”, Drita Bushi.

Inspektorati i Punës dhe Politikës Sociale sot ka dezinfektuar dhe deratizuar objektin në tërësi për ta bërë gati për fëmijët nesër. 

Reshjet shkaktuan problem edhe në Shkollën “Ismail Qemali”, por uji nga podrumi i kësaj shkolle është nxjerrë që në mëngjes pa shkaktuar ndërprerje të procesit edukativo-mësimor. (Rexhep Qamili, TVM2)