Botë

Fitorja e Trumpit, arrijnë urimet e para

09.11.2016 15:59

Presidenti rus, Vlladimir Putin, e ka uruar me anë të një telegrami presidentin e ri amerikan, duke i uruar sukses në përgjegjësinë që me vete bart posti i presidentit...

Kryetari i Parlamentit Europian, Donald Shulc, tha se votuesit amerikanë folën, fitorja e Trampit është e padyshimtë dhe duhet respektuar.
 
Shefja e politikës së jashtme evropiane, Frederika Mogerini, tha se BE dhe ShBA-të do të vazhdojnë bashkërisht të punojnë. Lidhjet mes BE-së dhe ShBA-ve janë më të thella se çfarëdo ndryshimi në politikë, vlerëson Mogerini. Edhe kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk, e ka uruar Trumpin për fitoren. 
 
Urimin për zgjedhjen e Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë kryeministri, Edi Rama, e nis me nota keqardhjeje për humbjen e “mikes së madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, Hillary Clinton.
 
Rama gjithsesi është i bindur se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara jo vetëm që nuk cenohen, por do të forcohen edhe më tej. 
 
Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka uruar presidentin Trump, duke mos anashkaluar edhe falënderimet për kundërkandidaten Clinton.
 
Thaçi ka thënë se miqësia e përhershme ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve është bazamenti mbi të cilin do të vazhdojë thellimi i bashkëpunimit dypalësh, duke shtuar se sekretares Clinton i jemi përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen e saj të vazhdueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës.
 
BESIM ABDULLAI