Botë
Rekomandimi për Shqipërinë, hapja e negociatave pas Reformës në drejtësi
09.11.2016 16:19
Komisioni Europian rekomandon hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, duke e kushtëzuar me ecurinë e zbatimit të Reformës në drejtësi...

Komisioni Europian rekomandon hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, duke e kushtëzuar me ecurinë e zbatimit të Reformës në drejtësi, e veçanërisht me Ligjin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve.
Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Bisedimet për Zgjerimin, Johannes Hahn, tha se Reforma në drejtësi dhe Vettingu janë thelbësore për hapjen e negociatave.
“Shqipëria ka shënuar hapa progresiv për sa i përket të gjitha rekomandimeve që ne i kemi parashtruar për procesin e hapjes së negociatave. Sa i përket hapave të rëndësishëm në reformën e drejtësisë dhe në ngritjen e institucioneve të reja, ato do të kenë një ndikim të madh në uljen e korrupsionit, dekriminalizimin, por edhe në shkëputjen e drejtësisë nga politika. Duhet të shohim edhe Ligjin e Vettingut, implementimi i saktë i kësaj reforme do të shënonte edhe rezultate konkrete”,- deklaroi komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Hahn.
Kryeministri Rama nuk e interpretoi si kushtëzim të Komisionit Europian rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit pas hapave konkretë në zbatimin e reformës në drejtësi. Rama akuzoi opozitën se kërkon të bllokojë hapjen e negociatave.
“Këtë e dinë edhe dritëshkurtrit që kanë bllokuar përkohësisht Vettingun me kërkesën e turpshme për ta shpallur antikushtetues dhe do të duan të bllokojnë negociatat. Shteti modern ndërtohet vetëm duke ndjekur rrugën e integrimit europian si e vetmja rrugë për të bërë shtet dhe forcuar institucionet. Duhet të vazhdojmë me vijimin e progresit në çdo fushë, përfshirë zbatimin e Ligjit të Vettingut”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, theksoi se do të jetë Partia Demokratike që pas zgjedhjeve të ardhshme do të hapë negociatat me Bashkimin Europian.
“Sfida mbetet ajo e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sfidë po kaq e madhe mbetet lufta kundër krimit, korrupsionit, fusha që Shqipëria nuk ka bërë para. Dua të siguroj qytetarët se PD do të jetë po kështu partia që do të hapë negociatat me BE-në, do të nisë këtë proces për ëndrrën tonë europiane dhe përmes bashkimit të të gjithë shqiptarëve që duan një qeveri të kontrolluar nga qytetarët dhe jo nga krimi, ne do ia dalim”,- u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ky përshkruhet si raporti më pozitiv që ka bërë ndonjëherë Brukseli për Shqipërinë, por sërish kushtet mbeten dhe një rikonfirmim të tyre pritet ta bëjnë në dhjetor vendet anëtare. Deri atëherë duhet të jetë publikuar edhe opinioni i Komisionit të Venecias për Ligjin e Vettingut, i cili shënohet nga Brukseli si themeli i reformës në drejtësi, kryekushti për hapjen e negociatave.
LULJETA NDOKA
