Bejli: Përkrahja amerikane nuk do të mungojë

09.11.2016 16:38

Politika e jashtme e Amerikës nuk do të ndryshojë dhe përkrahja e Maqedonisë nga ShBA do të mbetet e njëjtë....

Politika e jashtme e Amerikës nuk do të ndryshojë dhe përkrahja e Maqedonisë nga ShBA do të mbetet e njëjtë, deklaroi ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli.

Për të zgjedhjet në Amerikë duhet të shërbejnë si mësim për të gjithë se sa e rëndësishme është çdo votë.

“Pa marrë parasysh rezultatet, Amerika me vite ka qenë përkrahëse e Maqedonisë gjatë proceseve elektorale, dhe pa marrë parasysh se kush fiton, përkrahja do të mbetet për Maqedoninë, politika e Jashtme e Amerikës nuk ndryshon”,- tha ambasadori i ShBA-ve në RM, Xhes Bejli.

Edhe përfaqësuesit e partive maqedonase shpresojnë në vazhdimësinë e bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve, por duke i potencuar si partnere pas zgjedhjeve partitë që i përfaqësojnë.

“Maqedonia dhe ShBA-të janë partnerë të cilët bashkëpunojnë, kemi komunikim, kemi qëndrime të përbashkëta për integrimin e Maqedonisë  në BE. Kështu që pas mbarimit të zgjedhjeve në presidenciale dhe pas mbarimit të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, më 11 dhjetor, pas formimit të qeverisë së VMRO-DPMNE-së, do të vazhdojmë me thellimin e bashkëpunimit”,- theksoi Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.

"Zgjedhjet amerikane dëshmuan dy gjëra, se edhe përkrahja e fuqishme mediatike e kandidatëve të caktuar dhe partive politike të caktuara nuk është e mjaftueshme kur qytetarët kërkojnë ndryshime. Jam e bindur se këtë porosi do ta dërgojnë edhe qytetarët e Maqedonisë më 11 dhjetor”,- u shpreh Radmilla Shekerinska nga LSDM.

Edhe BDI potencon se vullneti i popullit duhet respektuar gjithnjë.

“Medoemos të respektohet çdo votë, medoemos të respektohen nevojat e qytetarëve dhe të respektohen kërkesat e qytetarëve, të respektohet demokracia dhe vullneti i shumicës”,- tha Artan Grubi nga BDI.

Edhe presidenti Ivanov në urimin dërguar Donald Trampit pas fitores ka potencuar rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke kërkuar mbështetje edhe në rrugën euroatlantike të vendit. Në adresë të Ambasadës amerikane kanë arritur edhe shumë urime nga partitë politike për zgjedhjen e Donald Trumpit president. (Sanije Duraku, TVM2)