Maqedoni

Presidenca Trump, Musliu: nuk do të ketë ndryshime radikale; ShBA, mike tradicionale e shqiptarëve

09.11.2016 17:04

Shtetet e Bashkuara zbatojnë politikë stabile, e cila si e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, vlerëson analisti, Albert Musliu...

Ai nuk pret ndonjë ndryshim të ndjeshëm apo radikal në raport me politikat ndaj vendeve të rajonit, përfshi edhe Maqedoninë.
 
“Nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim shumë të madh në orientimin e ShBA-ve dhe në vlerat të cilat ata i promovojnë. Ai është shtet tepër serioz, ka politikë të jashtme stabile. Gjithsesi, nuancat ndryshojnë, ku kryetari i ri do ta përqendrojë vëmendjen e vet, por mendoj se lidhur me Maqedoninë, por edhe me Ballkanin, nuk do të ketë ndonjë ndryshim radikal apo të ndjeshëm”,- theksoi analisti, Albert Musliu.
 
Ish kryetari Bush nga radhët e republikanëve ishte lobisti më i madh për integrimin e rajonit në NATO, thotë Musliu, ndërkaq shqiptarët ndër shekuj janë dhe mbeten miq të dy subjekteve më të mëdha në ShBA.  
 
“Shqiptarët janë një mik i ShBA-ve dhe janë mik i dy subjekteve politike më të mëdha në Amerikë, ashtu që mendoj se përderisa shqiptarët orientimin e kanë të duhur, atë që e kanë pasur me qindra vite ajo miqësi ka ekzistuar dhe do të vazhdojë”,- u shpreh analisti, Albert Musliu.
 
Ky rajon është tepër i vogël në suaza globale sa që të ndikojë në politikat globale të kryetarit të Shteteve të Bashkuara, nënvizoi Muslu.
 
NAIM RAMADANI