Maqedoni
KE publikon Raportin e progresit, Maqedonia merr rekomandim të kushtëzuar
09.11.2016 17:23
Kriza politike nuk është tejkaluar, ndërsa mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe deficit i demokracisë janë sfidat kryesore me të cilat është përballë Maqedonia gjatë vitit të kaluar...

Vendi ka shënuar ngecje edhe në zbatimin e rekomandimeve të KE-së gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, KE për të tetë herë me radhë mban rekomandimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë.
Rekomandimi është i kushtëzuar me zgjedhjet e dhjetorit, punën e papenguar të PPS-së dhe me zbatimin e reformave prioritare.
“Kriza politike ende nuk është zgjidhur. Ka hapa pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, posaçërisht zgjedhjet në dhjetor shihen si një mundësi e gjerë për të tejkaluar këtë, për të mirë. Kjo është ajo që qytetarët e vendit e kërkojnë, tani. Zgjedhjet e besueshme, punë e papenguar e PPS-së dhe zbatimi i të gjitha reformave urgjente janë parakushte për këtë. Mbështetur në hapat pozitiv dhe gatishmërisë së deklaruar të liderëve politik, jemi të gatshëm të mbajmë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim, por të kushtëzuar me zgjedhje të besueshme dhe zbatimin e plotë të reformave urgjente”,- tha komisioneri për zgjerim, Johanes Han.
Përderisa organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve janë përgjegjësi e kësaj qeverie, zbatimi i reformave urgjente dhe shndërrimi i rekomandimit nga rekomandim i kushtëzuar në rekomandim pa kusht mbetet detyrë për qeverinë e re, tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Sipas tij, shqetësuese është gjendja në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.
“Sistemi gjyqësor i vendit ka vazhduar të rrëshqasë pas. Nuk ka progres në relacion me rekomandimet e vitit të fundit ose rreth çështjeve të identifikuara në reformat prioritare urgjente. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të mbetet një problem serioz. Gjithashtu nuk është shënuar progres nga rekomandimet e vitit të fundit. Kapaciteti për të luftuar korrupsionin në mënyrë efikase vazhdon të mbetet i minuar nga ndikimi politik i trupave me relevancë”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Kritika të ashpra edhe mbi obstruksionet që i bëhen Prokurorisë Publike Speciale.
KE konstaton mosefikasitet institucional edhe në luftën kundër krimit të organizuar, larjes së parave dhe konfiskimit të mallit.
Nuk janë arritur pritjet as në fushën e medieve, ndërsa transparenca mbi reklamat qeveritare mbetet për të dëshiruar.
Çështjet e hapura me Bullgarinë dhe Greqinë mbeten të pazgjidhura. Progres nuk ka as në plotësimin e kritereve ekonomike, theksoi ambasadori Zhbogar gjatë prezantimit të Raportit të progresit.
SHPËTIM NUREDINI
