Maqedoni

Gjykata Kushtetuese, hidhen poshtë iniciativat e “Besës” dhe LPM-së

09.11.2016 18:33

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë nismën e Lëvizjes “BESA” për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dy paragrafeve të nenit 196-b të Kodit Zgjedhor...

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë nismën e Lëvizjes “BESA” për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dy paragrafeve të nenit 196-b të Kodit Zgjedhor, që ka të bëjë me vendimin e hapjes së zyrave të KShZ-së në selitë e njësiteve të vetëqeverisjes lokale.

Nisma u hodh poshtë pasi që dispozita nuk është më në rendin juridik.

Gjykata nuk ngriti procedurë as për nismën e Lëvizjes Popullore për Maqedoninë, me të cilën u kontestua neni i cili ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së anëtarëve të trupit ad-hoc për media.

Sipas LPM-së, dispozita e Kodit Zgjedhor për përzgjedhjen e katër anëtarëve të trupit ad-hoc për media nga ana e katër partive politike nuk është në pajtim me Kushtetutën, pasi iu pamundësoi partive të tjera të  propozojnë anëtarë për këtë trup.

Sipas Gjykatës, në këtë rast nuk ka asgjë jokushtetuese.