BOTË

Vazhdojnë tensionet në Ukrainë

26.04.2014 16:42

Grupimi G7, ku bëjnë pjesë 7 fuqitë ekonomike të botës, ka rënë dakord për të intensifikuar sanksionet ndaj Rusisë...

Grupimi G7, ku bëjnë pjesë 7 fuqitë ekonomike të botës, ka rënë dakord për të intensifikuar sanksionet ndaj Rusisë për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. 
 
Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga G7-a nuk jepen detaje mbi llojin e sanksioneve, por një zyrtar i ShBA-ve deklaroi se ato mund të njoftohen të hënën.
 
Perëndimi e akuzon Rusinë se drejton njësitë separatiste në lindje të Ukrainës, pak muaj pasi aneksoi gadishullin e Krimesë.
 
Poashtu ShBA-të deklaruan se avionët ushtarakë të Rusisë kanë kaluar disa herë brenda 24 orëve në hapësirat ajrore të Ukrainës. Ndërsa Operacioni i ushtrisë ukrainase në lindje të vendit ka hasur në rezistencë.
 
Në Kramatorsk prorusët kanë rrëzuar një helikopter ushtarak në përpjekje për të rimarrë nën kontroll aeroportin. Forcat e armatosura të Kievit nga ana tjetër kanë rrethuar Slovianjskun, ku mbetet ende mister mbi rrëmbimin e disa vëzhguesve të OSBE-së, lajm i përgënjeshtruar nga OSBE, por i konfirmuar nga Kievi dhe qeveria gjermane.
 
Kryebashkiaku i vetëshpallur i qytetit ka denoncuar se mes vëzhguesve ndodhet dhe një spiun i Kievit. Sipas tij logoja e OSBE-së nuk mund të përdoret për të mbrojtur një zyrtar të selisë së përgjithshme të forcave të armatosura. Pasi i infiltruari i përkiste ushtrisë.
 
Ai ka premtuar se do të bëhen hetimet dhe më pas do të merren masat. Shërbimete  sigujrisë ukrainase sigurojnë se për të evituar viktima mes civilëve nuk do të ketë një sulm në slovianjsk.Ndërkohë  Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, ka deklaruar se Moska nuk ka vendosur ende nëse do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë më 25 maj.
 
Sipas tij, “nëse do të ketë të shtëna nga tanket”, atëherë njohja e zgjedhjeve si legjitime, do të ishte absurde”.