Botë

Raporti i progresit për Kosovën, Hahn: tejkaloni tensionet, forconi demokracinë

09.11.2016 19:15

Komisioni Europian njohu ecurinë pozitive të Kosovës në përpjekje për të marrë liberalizimin e vizave...

Komisioneri, Johannes Hahn, deklaroi në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian se Prishtina ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për marrjen e vendimit të lëvizjes së lirë.

Megjithatë, Hahn vuri në dukje se janë dy kritere ku kërkohet më shumë përpjekje. E para është tejkalimi i tensioneve të forta politike në vend dhe e dyta forcimi i shtetit ligjor dhe i demokracisë.

Hahn tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur, prandaj tha se është koha që të plotësohen edhe dy kriteret e mbetura. Komisioneri për Zgjerim tha se në Kosovë duhet të tejkalohet tensionimi politik, duhet të forcohet shteti ligjor dhe demokratik, si dhe duhet të ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi.

Në rastin e Serbisë, Hahn ka kërkuar më shumë progres në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Po ashtu, Serbisë i është kërkuar të fokusohet në dialogun me Prishtinën dhe çështje tjera që ndërlidhen me bashkëpunimin rajonal, duke shmangur politikat nacionaliste të këtij vendi.

“Si nga pala serbe, ashtu edhe ana kosovare, duhet të zbatohen çështje delikate të marrëveshjeve, siç është Asociacioni i komunave serbe”,- ka theksuar Hahn.

Hapja e kapitujve të ri për Serbinë, sipas tij, mund të pritet vetëm vitin tjetër. Johannes Hahn u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të thellojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të lehtësojnë edhe rrugën e tyre integruese në Bashkimin Europian.

Ai ka përsëritur se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë europiane, por ka rikujtuar që ky rajon duhet të kalojë fillimisht përmes procesit të reformave në secilin shtet veç e veç.

GAZMEND REXHEPI