Botë

Presidenca Trump, protesta në ShBA, pesë të lënduar në Uashington

10.11.2016 10:54

Protesta të shumta kanë përfshirë qytetet amerikane pas votës që përcaktoi Donald Trump si president të 45-të të ShBA-ve...

Pesë persona u qëlluan në Uashington, në një shkëmbim zjarri gjatë protestave. Dy prej tyre janë dërguar në spital me lëndime të rënda.
 
Protesta pati edhe para Shtëpisë së Bardhë. Protestuesit e befasuar nga fitorja e republikanit, mbanin banderola në të cilat ishte shkruar “Nuk është presidenti im” dhe “Nuk mbështesim fanatikun racist”.
 
Mijëra protestues dolën edhe në rrugët e qyteteve të tjera. 1000 persona iu drejtuan hoteleve në Cikago dhe policia u detyrua të bllokojë rrugën për të mos i lejuar protestuesit të kalojnë.
 
Rreth 1500 studentë në Kaliforni bashkë me profesorët e tyre protestuan në San Francisko dhe në universitetin e Kalifornisë. Nxënës dhe studentë mbushën rrugët edhe në Sietëll, Foeniks, Los Angelos, Richmond dhe El Cerito.
 
Protestat në shumë vende u bënë të dhunshme, pasi protestuesit thyen edhe xhamat e dyqaneve në rrugët nga kalonin. Gjatë protestave në Portland të Oregonit u dogjën edhe flamuj amerikanë dhe njerëzit mbyllën përkohësisht edhe një rrugë ndërshtetërore. 
 
Ndërkohë, presidenti Obama përgatitet të takojë pasardhësin e tij, Donald Trump, në zyrën ovale për bisedime, që synojnë një kalim sa më të butë të pushtetit. Obama gjatë fushatës ishte pro Clintonit, duke e cilësuar Trumpin si të papërshtatshëm për të qeverisur vendin.
 
LEUNORA KALIQI