Botë

Athinë, sulm me granatë në Ambasadën franceze

10.11.2016 11:48

Një granatë ka shpërthyer jashtë Ambasadës franceze në Athinë, rreth orës 05:00 të mëngjesit...

Një granatë ka shpërthyer jashtë Ambasadës franceze në Athinë, rreth orës 05:00 të mëngjesit, në kohën që një motoçikletë ndaloi jashtë godinës së ambasadës, që ndodhet vetëm pak metra larg Parlamentit grek dhe hodhi një granatë në drejtim të Ambasadës.
 
Prej shpërthimit mbeti i plagosur në këmbë polici roje i Ambasadës dhe nuk pati dëme të tjera. Në zonë ndodheshin forca të shumta policie, të cilat ruajnë godinat e Parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme, por nuk munden t’i ndalonin terroristët.
 
Pak minuta më vonë u gjet edhe motoçikleta. Policë të antiterrorit po hetojnë për gjetjen e të dhënave që do të çojnë në arrestimin e autorëve.
 
Dyshimet kryesore bien mbi organizatën “Komploti i celulave të zjarrit”, disa anëtarë të së cilës janë arrestuar dhe gjykuar.
 
Ditët e fundit, kryeqyteti grek është nën masa të rrepta sigurie për shkak të vizitës së presidentit amerikan, Barack Obama, në datën 15 nëntor. Për sigurinë e vizitës janë angazhuar më tepër se 3000 policë grekë dhe 500 anëtarë të shërbimeve amerikane të sigurisë.
 
LEUNORA KALIQI