Maqedoni
Sulmohet me gurë autobusi 55, lëndohet një vajzë dhe thyhet xhami i përparmë
10.11.2016 13:07
Në lagjen Maxhari mbrëmë është sulmuar autobusi me numër 55 i Ndërmarrjes Publike të Qarkullimit...

Një grup prej disa personash ka gjuajtur me gurë autobusin i cili ka qenë duke lëvizur drejt Haraçinës.
Personat të cilët kanë sulmuar me gurë autobusin me numër 55 të NPQ-së, mbrëmë menjëherë janë larguar nga vendi i ngjarjes. MPB ende nuk i di arsyet e vërteta për këtë incident.
Në këtë incident është thyer xhami i përparmë i autobusit dhe ka marrë lëndime të lehta një vajzë, e cila në momentin e frenimit është përplasur në mbajtëset e autobusit. Autoritetet e ndihmës së shpejtë për TVM2 informojnë se gjendja shëndetësore e vajzës së lënduar është stabile.
NPQ ka denoncuar rastin në polici, por nuk jep më shumë sqarime. Edhe banorët e lagjes Maxhari ishin të përmbajtur për të folur për incidentin në fjalë.
“Në atë kohë unë isha në shtëpi, nuk dola jashtë për të parë se çfarë ka ndodhur, por tregojnë se ka pasur incident dhe se autobusi ka qëndruar deri në orën 23 në mbrëmje”,- tha një banor i Maxharit.
“Në lagjen tonë flitet se sulmuesit mbrëmë në fakt kanë qenë në një grup pak më të madh”,- theksoi një banor i Maxharit.
“Jo, jo asgjë nuk kam parë dhe dëgjuar për këtë”,- u shpreh një banor i Maxharit.
Në të gjitha stacionet e autobusëve pranë këtij vendbanimi vërehej një numër i shtuar i policisë. MPB punon në zbardhjen e rastit.
REXHEP QAMILI
