Botë

Mali i Zi, Dushko Markoviq mandatar për qeverinë e re

10.11.2016 13:29

Presidenti i Malit të Zi e ka emëruar kreun e inteligjencës, Dushko Markoviq, si mandatar për formimin e qeverisë së re...

Dushko Markoviq është gjithashtu zëvendëskryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet dhe një nga aleatët më të besueshëm të Milo Gjukanoviqit, ish-kryeministrit dhe liderit shumëvjeçar të partisë.

Partia Demokratike e Socialistëve doli partia më e fuqishme në Mal të Zi me 81 vende në parlament, pas zgjedhjeve të 16 tetorit, por humbi shumicën.

Ajo po kërkon aleancë me socialdemokratët dhe me partitë e tjera përfaqësuese të pakicave, që do t’i jepte asaj shumicën prej vetëm dy vendeve.

Partitë kryesore opozitare kanë refuzuar që të zhvillojnë biseda me Gjukanoviqin, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe autoritarizëm gjatë 25 viteve të qeverisjes.

Në një deklaratë për shtyp presidenti, Filip Vujanoviq, la të kuptohej se Markoviq do të vazhdojë shumicën e politikave pro-perëndimore të Gjukanoviqit.

Ai do të jetë i përkushtuar për integrimet europiane dhe zhvillimin ekonomik, tha Vujanoviq. Mali i Zi shpreson që t’i bashkohet NATO-s dhe BE-së, megjithëse partitë opozitare pretendojnë afrimin me Rusinë.