Botë

ShBA, Trump sot viziton Shtëpinë e Bardhë

10.11.2016 14:03

Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në ShBA, Donald Trump, do të zhvillojë sot vizitën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhe me ftesë të presidentit, Barack Obama...

Disa orë pasi Trumpi fitoi garën presidenciale ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton, përkundër të gjitha pritjeve, Obama premtoi të hap rrugën për një tranzicion të qetë të pushtetit, përkundër “dallimeve të theksuara”.
 
"Një gjë që e kuptoni shumë shpejt është se Presidenca dhe zëvendës Presidenca janë më të mëdha se sa secili prej nesh”,- tha Obama në fjalën e tij në Shtëpinë e Bardhë.
 
Obama gjithashtu foli edhe me demokratët që votuan kundër Trumpit dhe ende nuk e kanë pranuar presidencën e tij, ndërkohë që mijëra veta kanë dalë në rrugë për të protestuar.
 
“Ne jemi të gjithë në një ekip”,- tha Obama.
 
“Ne nuk jemi demokratë fillimisht. Ne nuk jemi republikanë fillimisht. Ne jemi amerikanë para së gjithash. Ne jemi patriotë para së gjithash”,- tha presidenti në largim.
 
Amerikanët “i kanë borxh” Trumpit për t’i dhënë “rast për të udhëhequr”, ka thënë rivalja e tij e deridjeshme, Hillary Clinton.
 
Ajo tha se sundimi i ligjit, të drejtat e barabarta dhe liria e besimit fetar duhet të “respektohen dhe të mbrohen dhe kjo është përgjegjësi e shtetasve amerikanë, që të vazhdojnë të ndërtojnë shtet më korrekt”. 
 
Trump do të betohet më 20 janar për të marrë qeverisjen nga Obama, i cili po e përmbyllë mandatin e tij të dytë katërvjeçar, duke kaluar kështu presidenca nga duart e demokratëve te republikanët.