Botë

Jonhson në Kosovë: Luftoni terrorizmin, ekstremizmin e korrupsionin, hetim të pavarur për vdekjen e Deharit

10.11.2016 14:23

Britania dëshiron që Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor të ketë një paqe dhe stabilitet, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe...

Britania dëshiron që Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor të ketë një paqe dhe stabilitet, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, në seancën solemne të mbajtur për nder të tij në Kuvendin e Kosovës.
 
Jonhson tha se pavarësisht se e kaluara e Kosovës është plot dhimbje dhe se askush nuk pret që ato dhimbje të harrohen, por, sipas tij, Kosova duhet të ketë raporte të mira me Serbinë. Po ashtu, sipas tij, Kosova duhet të luftojë terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm, korrupsionin dhe krimin e organizuar.
 
“Mendoj që Kosova mund të jetë një shembull i fuqishëm për vendet e tjera. Jam i kënaqur që Britania ishte ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën. Ne ishim dhe jemi aleatë të Kosovës. Unë e kuptoj se e kaluara është plotë me dhimbje dhe vuajtje dhe nuk pritet të largohen lehtë, por kërkohet kurajo politike dhe nuk kam dyshim që mund të arrihet. Fajtorët në të dy anët duhet të ndëshkohen dhe këtu ka rëndësi bashkëpunimi për Gjykatën Speciale”,- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë, Boris Johnson.
 
Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë i ka shprehur ngushëllime familjes së Astrit Deharit me rastin e vdekjes së dyshimtë të tij dhe ka kërkuar hetime transparente për të ndriçuar këtë rast.
 
“Ngushëllime familjes për Astrit Deharin. Ju ftoj që të ketë një hetim të pavarur”,- theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë, Boris Johnson.
 
Gjatë qëndrimit në Kosovë kryediplomati britanik realizoi takime me kreun më të lartë shtetërorë të Kosovës, si dhe mori pjesë edhe në lansimin e projektit “Përkrahje për zhvillimin e partive politike të Kosovës”.
 
GYLTENE SINANI