Maqedoni

ShGM për raportin e progresit: Vlerësimet e KE-së, identike me qëndrimet e ShGM-së

10.11.2016 16:32

ShGM pajtohet me vlerësimin e Komisionit Europian në pjesën për mediat....

KE me të drejtë vlerëson se në pjesën më të madhe të mediave në Maqedoni mungon pluralizmi politik dhe se televizionet kombëtare në mënyrë të koordinuar përkrahin partitë në pushtet.
 
Pjesa më e madhe e vlerësimeve të Komisionit në lidhje me dhunën ndaj gazetarëve, financimi i mediumeve dhe gjendja në Radio Televizionin e Maqedonisë janë identike me qëndrimet e ShGM-së, thuhet në reagim.
 
“Komisioni konfirmoi se gazetarët janë të ekspozuar ndaj sulmeve të ndryshme dhe autoritetet nuk kanë ndërmarrë asgjë për të ndëshkuar autorët, mes të cilëve ka edhe politikanë. Qartë theksohet se sulmet fizike ndaj gazetarëve, përgjimi joligjor i tyre dhe kushtet e vështira të punës nxisin vetëcensurën. KE nuk kërkon legjitimimin e fushatës reklamuese qeveritare, e cila shërben si presion ndaj mediave, por kërkon transparencë të plotë për të hollat e harxhuara deri tani për këtë qëllim. Në raport insistohet në kriteret e publikimeve të fushatave pa pagesë nga ana e mediave,  të cilat janë vërtetë në interes të publikut”,- thonë nga ShGM.
 
KE vërtetoi shqetësimin e ShGM-së në lidhje me pavarësimin financiar të Radio Televizionit të Maqedonisë, i cili, sipas tyre, akoma nuk mund të sigurojë informim objektiv dhe të sigurojë opinione të ndryshme për çështje të caktuara.
 
ShGM mbështet thirrjen e Komisionit Europian për dialog gjithëpërfshirës të qeverisë me bashkësinë e mediave për ndërmarrjen e masave drastike të forcimit të pavarësisë dhe të pluralizmit në media, thonë nga ShGM.
 
REJHANE BUSHI-METAJ