Maqedoni

Sh. F. “Liria”- Tetovë, prindërit kërcënojnë me bojkot të mësimit

10.11.2016 16:52

Prindërit e nxënësve që mësojnë në Shkollën “Liria” kërkojnë zgjidhje të shpejtë të problemit me çatinë e shkollës...

Prindërit e nxënësve që mësojnë në Shkollën “Liria” kërkojnë zgjidhje të shpejtë të problemit me çatinë e shkollës që është dëmtuar jashtëzakonisht shumë pas shirave të fundit. Nëse problemi nuk zgjidhet, ata do t’i ndalojnë fëmijët e tyre të vazhdojnë mësimin. 
 
“Kushtet elementare të kësaj shkolle nuk përmbushen, pasi pullazi mbi këtë shkollë rrjedh nga shirat që kohët e fundit ishin. Ne deri më tani ishim në mbledhje, na premtuan se kanë gjetur një lloj zgjidhje të përkoshme që orët të mbahen me orar të shkurtuar”,- deklaroi një prind.
 
“Kjo ndërtesë nuk është adekuate për shërbimin që ofron dhe zgjedhja duhet të gjindet. Nëse nuk gjen zgjidhje, Ministria e Arsimit dhe komuna e Tetovës, ne do ta bojkotojmë mësimin”,- theksoi një prind.
 
Drejtoresha e Shkollës “Liria” thotë se zgjidhja momentale është gjetur. Nxënësit do të tranferohen në një tjetër objekt, ku mësimi do mbahet me tre ndërrime me orë të shkurtuara, deri në renovimin e objektit aktual.
 
“Kërkesat e prindërve në bisedën që kishim ishin që të ketë një objekt më të sigurt për nxënësit, kushte më të mira dhe mësim të rregullt. Është duke u ndjekur mësimi me orar të shkurtuar, por deri në zgjidhjen e problemit”,- tha drejtoresha e Sh. F. “Liria”- Tetovë, Shpresa Iseini.
 
Nga sektori për arsim i komunës së Tetovës kanë përsëritur edhe një herë qëndrimin se kërkesat për renovimin e shkollës i janë drejtuar disa herë Ministrisë së Arsimit.  
 
“Ne me Ministrinë e Arsimit jemi në korrelacion. Kërkesa është bërë në dy vitet e kaluara, është bërë edhe tani, ashtu që kërkesën ne e kemi dërguar në Ministrinë e Arsimit”,- theksoi përgjegjësi për arsim në komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi.
 
Por, nga MASh thonë se ende janë në pritje të kërkesës së Komunës së Tetovës dhe vendimi për renovimin e saj do të merret menjëherë sapo kërkesa të arrijë.
 
VISAR SADIKI