Maqedoni

Nesër skadon afati ligjor, BDI bën publik bartësit e listave

10.11.2016 17:09

Këshilli i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim miratoi unanimisht propozimin e kryesisë për listën e kandidatëve për deputetë...

Emra të njohur dhe të rinj vërehen në krye të listave. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, do t’i prijë listës së kandidatëve në njësinë e gjashtë zgjedhore, në njësinë e parë bartës liste është Artan Grubi, në njësinë zgjedhore numër dy listës do t’i prijë Ejup Halimi, në njësinë e tretë Nafi Durmishi, në të katërtën Artin Spahiu, në njësinë e pestë zgjedhore listës së kandidatëve do t’i prijë Agim Shaqiri, ndërsa tashmë dihej kandidati i BDI-së për diasporën, ku integristët do të garojnë me  Xhevdet Spahiun. Listat e plota të kandidatëve do të dorëzohen në KShZ në afatin ligjor që skadon nesër në mesnatë. Nga KShZ i presin edhe listat e partive të tjera.
 
Tashmë dihen listat e plota të kandidatëve të PDSh-së dhe LSDM-së. Nga VMRO-DPMNE-ja njoftojnë se do të respektojnë obligimin ligjor për dorëzimin e listave të kandidatëve, që skadon në mesnatën e 11 nëntorit.
 
Pas pranimit të listave, KShZ ka afat prej 48 orëve që t’i shqyrtojë të njëjtat. Në rast se diçka nuk është në rregull me emrat e propozuar dhe paraqitet nevoja për korrigjim, atëherë listat u kthehen partive, të cilat gjithashtu kanë 48 orë që të mund të intervenojnë dhe t’i përmirësojnë.
 
GAZMEND KURTISHI