Maqedoni

Raporti i progresit, analistët: raporti real, vërejtjet të pritshme

10.11.2016 17:46

Shënimet në raportin e progresit ishin të pritshme, ndërsa rekomandimi është numërim në vend...

Kështu e cilësojnë shkurt analistët raportin e progresit për Maqedoninë, të publikuar nga KE.
 
Vendi ka shënuar regres në shumë sfera, prandaj nevojitet angazhim maksimal për të kapur hapin, thotë Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Europiane dhe profesori universitar, Bashkim Selmani.  
   
“Për sa i përket progresit, në Maqedoni hasi vazhdimësi të vjetër për arsye se pat një regres të pakuptimtë që nënkupton, iu shtuan disa detyra shtesë siç ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes, pra të ketë zgjedhje demokratike dhe kredibile. Po ashtu bëhet fjalë për detyrën e dytë shumë të fuqishme që ka të bëjë me Marrëveshjen e Përzhinës, prej ku dalin shumë të drejta dhe detyrime, që në kuadër të kësaj nënkupton edhe rolin dhe funksionin e Prokurorisë Speciale”,- deklaroi analisti, Bashkim Selmani.
 
“Ne që vjet e cilësuan rekomandimin si të ngrirë, pasi ajo nuk është çështje që diskutohet në Këshillin e Ministrave të BE-së dhe nuk do të jetë as në dhjetor. Raporti nuk na befason, në pjesën më të madhe është ai që ka qenë vitin e kaluar”,- tha Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Europiane.
 
Shqetësues është konstatimi i KE-së për mosfunksionimin e sundimit të shtetit ligjor dhe sistemit gjyqësor, thotë Selmani. Sipas tij, sundimi i këtillë për rreth tre dekada vë në dyshim përcaktimin e vendit nëse është për sistem demokratik apo për ndonjë sistem tjetër. Në këtë kontekst, Selmani zgjidhjen e sheh te faktori ndërkombëtar. 
 
“Maqedonia nuk u përmbahet rregullave që i përcakton BE. Në anën tjetër edhe BE kur sheh se këto qeveri nuk e trajtojnë mirë dhe drejtë BE-në, atëherë ai duhet të gjejë mekanizëm që të shpëtojë qytetarët e këtyre vendeve. Nëse nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret, atëherë të gjejë mënyra të karakterit sanksionues që të merren më seriozisht nga qeveritë e vendeve Ballkanike”,- theksoi analisti, Bashkim Selmani. 
 
Gjatë prezantimit të raportit, eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, tha se rekomandimi për hapjen e bisedimeve është i kushtëzuar me zgjedhje të besueshme, punë të papenguar të PPS-së dhe zbatimin e të gjitha reformave urgjente. 
 
SHPËTIM NUREDINI