Maqedoni
Sektori civil në rajon, prezantohen projekte zhvillimore drejt BE-së
10.11.2016 18:07
18 organizata joqeveritare të rajonit dolën me projekte dhe udhëzime konkrete për zhvillimin e fushave të ndryshme drejtuar...

18 organizata joqeveritare të rajonit dolën me projekte dhe udhëzime konkrete për zhvillimin e fushave të ndryshme drejtuar qeverive në realizimin e reformave dhe progresit shoqëror.
Përfaqësuesja e Komisionit Europian, Lorta Isakson, thotë se sektori civil është shtylla kyçe për zhvillimin e shoqërisë, por edhe e rrugës drejt anëtarësimit në BE.
“E gjithë kjo është e një rëndësie të veçantë në procesin paraqasës drejt BE-së. Nuk është i rëndësishëm vetëm komunikimi midis qeverive, por të ketë edhe përfshirje më të madhe të sektorit civil në të gjitha proceset. Kjo është mjaft e rëndësishme për ne si BE”,- deklaroi përfaqësuesja e KE-së, Lorta Isakson.
Problemet në të gjitha vendet e rajonit në fushën e furnizimeve publike janë të ngjashme, megjithëse zgjidhjet janë të ndryshme, thonë pjesëmarrësit.
“Gjashtë organizata joqeveritare nga vendet e rajonit, po krahasojmë se si zbatohen procedurat konkrete, dhe nxjerrim konkluzionet përkatëse. Ofrojmë udhëzime konkrete për ekipet të cilat nesër do të negociojnë me BE-në”,- tha German Fillkov nga Sektori civil.
BE ka miratuar programin e mbështetjes së shoqërisë qytetare, duke ndarë për këtë qëllim 8.7 milion euro.
MERAL ISMAILI
