Maqedoni

Vëzhgues edhe nga KQZ e Kosovës

26.04.2014 18:15

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve priti sot delegacionin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Kosovës...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve priti sot delegacionin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Kosovës, të kryesuar nga vetë kryetarja e këtij trupi Valdeta Daka. Në takim, nikoqirët informuan miqtë Kosovar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen nesër, më 27 prill. KQZ e Kosovës gjatë ditës së zgjedhjeve do vëzhgojë procesin zgjedhor në terren për të parë nga afër zbatimin në praktikë të legjislativës zgjedhore, e cila më pas mund të aplikohet në reformën zgjedhore në Kosovë.
 
“Shpresoj se dita e nesërme do të kalojë e qetë dhe në frymë demokratike ashtu sic ka qenë edhe raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Shpresojmë qe sdo gjë do të jetë në rregull dhe nga vëzhgimet të cilat do t’i bëjmë nesër si KQZ shpresoj që të mbartim përshtypjet tona dhe të mësojmë edhe ne nga përvojat e juaja”, shprehet kryetarja e KQZ-së nga Kosovë, Valdeta Daka.
 
“Unë mendoj se kjo përvojë e jona mund të jetë si një uvertyrë e mirë, nëse regullativa e jonë është e mirë dhe pasi të na vëzhgojnë sot dhe nesët, të mund të shfrytëzojnë rastin nga për praktikat e mira që ne bëjmë”, shprehet nënkryetar i KShZ-së, Subhi Jakupi.
 
Kryetarja e Komisionit Qëndror Zgjedhor të Kosovës, Valdeta Daka, gjashtë anëtarë të komisionit si dhe i gjithë stafi teknik i këtij trupi, janë të akrediktuar në KSHZ dhe nesër do të kenë të drejtën të vëzhgojnë të gjitha vendvotimet dhe të gjitha Komisionet Zgjedhore Komunale.    
 
Ndryshe, procesin zgjedhor nesër do ta vëzhgojnë 550 vëzhgues të huaj dhe 9.952 vëzhgues vendor.
 
 
SHPËTIM NUREDINI