Botë
Vazhdojnë protestat në ShBA, Trump: Janë të padrejta, po i nxisin mediat
11.11.2016 09:29
Protestat pas zgjedhjes së Donald Trump si president kanë vijuar në ditën e tyre të dytë, në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, por në masë më të vogël...

Turmat e mbledhura përbëheshin më së shumti nga të rinj të cilët thoshin se presidenca Trump do të krijojë ndarje të thella racore dhe gjinore.
Megjithatë, forcat policore në Portland raportojnë se ata janë përballur me vandalizëm dhe sjellje agresive nga ana e protestuesve dhe i ka konsideruar protestat atje si rebelim, pasi demonstruesit ishin të pajisur me sende të forta dhe shkatërruan ambiente publike.
Në Minneapolis nuk pati raportime për protesta të dhunshme, por demonstruesit bllokuan përkohësisht një autostradë ndërshtetërore në të dyja drejtimet.
Turma të vogla u mblodhën edhe në Philadelphia, Baltimore, Chicago e New York. Nuk ka munguar as reagimi i Trumpit, i cili me anë të Twitter-it i ka quajtur këto protesta “tepër të padrejta” dhe të nxitura nga media, edhe pse procesi elektoral kishte qenë i hapur dhe i suksesshëm.
Trump u takua tashmë edhe me presidentin në detyrë, Barack Obama, me të cilin zhvilloi një bisedë ku në fokus ishte lehtësimi i tranzicionit të pushtetit, që do të sigurojë edhe suksesin e presidentit të sapozgjedhur.
Republikani madje e quajti Obaman një burrë të mirë, edhe pse analistët thonë se përtej kësaj përzemërsie, Trump do të përpiqet të hedhë poshtë shumë arritje të presidencës Obama, ku përfshihet edhe “Obamacare”, ligji për shëndetin, nga i cili kanë përfituar më shumë amerikanë se kurdo.
BELINDA KOKA-ADEMI
