Botë

Afganistan, sulm konsullatës gjermane, katër të vdekur dhe 100 të plagosur nga sulmi taleban

11.11.2016 13:57

Konsullata gjermane në Afganistan u bë shënjestër e një sulmi kamikaz, për pasojë katër persona mbetën të vdekur, 100 të tjerë u plagosën...

Gjatë sulmit asnjë nuk është lënduar nga diplomatët gjermanë. Policia vendore e ka përshkruar shpërthimin si “tepër të fuqishëm” dhe raportoi se tre oficerë të policisë ishin plagosur. 
 
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha në godinën e konsullatës ku punonin rreth 30 persona. Talebanët kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm përmes një e-maili dërguar mediave afgane.
 
Zëdhënësi i lëvizjes politike tha se shënjestra ishte konsullata, ndërkohë që Gjermanisë ai iu referua si “pushtuesit”.
 
Agresorë të armatosur kanë mësyrë pas shpërthimit, duke luftuar me forcat afgane dhe gjermane të sigurisë deri në orët e para të mëngjesit.
 
Sulmi vjen vetëm shtatë ditë pas bombardimeve ajrore të përbashkëta me NATO-n kundër talebanëve në distriktin verior të Kunduz, ku u vranë 30 civilë, dy ushtarë amerikanë dhe 26 militantë.
 
Qyteti i Mazar-e-Sharif është një nga më paqësorët dhe më të zhvilluarit në Afganistan. Sulmi vë në dukje problemet e sigurisë në vend, sidomos gjatë muajve të fundit, teksa shumë zona janë përfshirë në luftime të ashpra.
 
Më herët gjatë këtij muaji, edhe konsullata indiane, e vendosur në qendër të qytetit Mazar-e-Sharif, u sulmua nga militantë të armatosur.
 
BELINDA KOKA-ADEMI