Maqedoni
Partitë e mbështesin Kodin për parandalimin e dhunës, pritet nënshkrimi
11.11.2016 17:14
Të gjitha partitë politike dhe koalicionet kanë mbështetur Kodin për parandalimin e dhunës gjatë zgjedhjeve...

Të gjitha partitë politike dhe koalicionet kanë mbështetur Kodin për parandalimin e dhunës gjatë zgjedhjeve, i përpiluar nga Qendra Maqedonase për Kulturë dhe Zhvillim.
Pritet që partitë të nënshkruajnë dokumentin ditëve në vijim. Kryetari i kësaj qendre, Nellko Nellkovski, tha se të gjitha palët zotohen për zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Nga të gjitha partitë, katër më të mëdhatë dhe koalicionet më të vogla morëm mbështetje të plotë për këtë Kod. Një pjesë e kanë nënshkruar, të tjerët do ta nënshkruajnë. Presim që kjo për disa ditë të përfundojë. Që të gjithë mbështesin punën tonë, sikurse pozita ashtu edhe opozita. Që të gjithë apelojnë për zgjedhje të qeta dhe demokratike”,- deklaroi kryetari i QMKZh-së, Nellko Nellkovski.
Ndërkohë që KShZ, si institucion kyç për zbatimin e zgjedhjeve, porosit për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional gjatë gjithë procesit zgjedhor, për të parandaluar parregullsitë e mundshme.
“Kjo preventivë përfshin KShZ-në, e cila duhet t’i marrë të gjitha masat për ndalimin e parregullsive në këto procese dhe organet tjera, siç janë Komisioni Komunal, Këshillat Zgjedhor, por njëkohësisht edhe organet tjera, të cilat duhet të jenë të kyçura në çështjen e ndodhjes së parregullsive zgjedhore, qofshin në fazën para ditës së zgjedhjeve, qoftë në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. MPB, prokuroria dhe gjyqi janë organet të cilat duhet të jenë të vëmendshme në ndalesat e të gjitha parregullsive, që ne të kemi organizim të zgjedhjeve të lira dhe demokratike”,- u shpreh anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk bëjnë me dije numrin e saktë të policëve që do t’i mbikëqyrin zgjedhjet, por sigurojnë se do të mbulohen të gjitha vendvotimet.
MERAL ISMAILI
