Maqedoni
BESA publikoi listat me kandidatët e saj
11.11.2016 17:37
Lëvizja BESA dhe RDK shpalosën listën e tyre të kandidatëve me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e 11 dhjetorit...

Siç bënë të ditur nga kjo parti, bartësi në njësinë zgjedhore numër 1 është Zeqiria Ibrahimi, Afrim Gashi në njësinë numër 2, Arben Labinishta në njësinë e 5 dhe Bilal Kasami në njësinë zgjedhore numër 6, ku i dyti në listë do të garojë edhe Fadil Zendeli nga RDK.
“Përzgjedhja ka qenë vërtet e rëndë, por jo nga shkaku i egove personale, por nga shkaku i asaj që vërtet i kemi pasur më të mirët në radhët tona dhe ka qenë vështirë që të bëjmë një përzgjedhje të kandidatëve, por ajo në të cilën dua t’i përgëzoj shqiptarët e Maqedonisë është se jemi munduar të nxjerrim më të mirët mes kandidatëve të RDK-së dhe BESËS”,- u shpreh kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami.
BESA nuk garon me kandidatë në njësitë zgjedhore 3, 4 dhe 7. Tashmë është e qartë se në njësinë e 6 do të jetë gara më e fortë, pasi listave u prijnë liderët partiak.
Në njësinë 6 zgjedhore do të garojnë përballë njëri-tjetrit lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ai i PDSh-së, Menduh Thaçi, Abdyladi Veseli i PPD-së, dy liderët e koalicionit “Aleanca për shqiptarët”, Zijadin Sela i LR-PDSh-së, i ndjekur nga Vesel Memedi i RDK-së dhe Bilall Kasami i lëvizjes BESA.
Ndarje të votës shqiptare në më shumë opsione do të ketë edhe në njësinë e parë, të dytë dhe të pestë zgjedhore, ku përveç PPD-së, garojnë të gjitha katër forcat e tjera politike, BDI, PDSh, “Aleanca për shqiptarët” dhe BESA.
Në njësinë e tretë zgjedhore me listë deputetësh kanë dalë vetëm BDI dhe PDSh, ndërkohë që integristët do të garojnë edhe në njësinë e katërt zgjedhore dhe në diasporë.
REXHEP QAMILI
