Maqedoni
OEMVP: vërejtjet e KE-së pasqyrojnë atë që vazhdimisht kërkojmë
11.11.2016 17:51
Sundimi i ligjit dhe zbatimi joselektiv i legjislacionit, përmirësimi i qasjes në financa, nxitja e sipërmarrjes, inovacionit dhe konkurrencës...

Sundimi i ligjit dhe zbatimi joselektiv i legjislacionit, përmirësimi i qasjes në financa, nxitja e sipërmarrjes, inovacionit dhe konkurrencës janë vetëm disa nga vërejtjet të cilat janë shënuar në raportin e KE-së, për të cilat me vite ka alarmuar OEMVP, thonë nga ky institucion.
Sipas drejtorit ekzekutiv të OEMVP-së, Fatmir Bytyçit, komuniteti i biznesit përballet me probleme në lidhje me zbatimin e ligjit, si dhe autoritetet nuk marrin parasysh kërkesat e bizneseve gjatë sjelljes së ligjeve.
“Zhvillimi i biznesit vuan nga zbatimi i dobët dhe jo i barabartë i ligjit. Përveç kësaj nënvizon një aspekt tjetër që është interpretimi jotransparent i rregullave të biznesit, veçanërisht nga autoritetet lokale, zbatimi jo i barabartë i rregullave dhe kontratave, korrupsioni dhe ekonomia e lartë joformale që pengojnë zhvillimin e sektorit privat. Aspektet që tregojnë se shteti i drejtë nuk funksionon në bazë të parimeve të ligjshmërisë apo kushtetutshmërisë”,- deklaroi drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytyçi.
Gjithashtu nga OEMVP thonë se rritja e shpejtuar e borxhit publik me 23.5 për qind në 46.5% në periudhën në mes vitit 2008 dhe 2015 është një tjetër faktor shqetësues, si dhe vështirësitë në qasjen deri në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mbetet ende një problem që duhet adresuar.
Nga Oda potencuan se qeveria nuk ka qasje të njëjtë me kompanitë vendore, si me investitorët e huaj, në marrjen e licencave për zhvillimin e biznesit të tyre.
“Në raportin e progresit thuhet se marrja e licencave dhe lejeve për punë konsiderohet të jetë më e lehtë për investitorët e huaj se për kompanitë vendase, e cila është çështje kyçe për bizneset vendore, ndërsa ne si Odë Ekonomike disa herë kemi kërkuar nga qeveria që të ketë të njëjtën qasje drejt investitorëve të huaj dhe të vendit, dhe themi se nuk është e pranueshme që kompanitë vendore të jenë institucionalisht të diskriminuara”,- theksoi drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytyçi.
Vërejtjet e KE-së duhet të merren në konsideratë dhe urgjentisht të punohet në menjanimin e tyre, apelon Bytyçi, sepse, sipas tij, çdo opsion tjetër do na largonte nga integrimi i vendit në BE.
ERSAN PAJAZITI
