Maqedoni
Analiza krahasuese e raporteve të progresit, Maqedonia numëron në vend që nga viti 2013
11.11.2016 18:09
Katër vite radhazi KE përsërit rekomandimet e njëjta për Maqedoninë por, asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh nga qeveria...

Katër vite radhazi KE përsërit rekomandimet e njëjta për Maqedoninë por, asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh nga qeveria, në asnjë sferë nuk është shënuar progres.
Kështu ka rezultuar analiza krahasuese e përpiluar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni dhe Qendra Maqedonase për arsimim evropian me titull “Dështimi i reformave urgjente”.
Sipas drejtoreshës ekzekutive të Komitetit të Helsinkit për të drejta të njeriut të RM-së, Uranija Pirovska, rekomandimet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut nuk kanë dallime të mëdha nga ajo që ishte definuar në raportit e vitit të kaluar përveç përkufizimit të vendit si shtet I robëruar.
“Ajo që vihet re është se ka një guxim më të madh në definimin e sistemit. Disa herë përmendet termi “shtet i robëruar” dhe “institucione të robëruara”. Ky është kualifikimi të cilin sektori civil ndër vite e shpreh si gjetje kur bëhet fjalë rreth parimit të ndarjes së pushtetit. I cili për disa vite nuk ndjehet, pasi kemi një qeveri dominuese, pushtet ekzekutiv, i cili ndikon drejtpërdrejt edhe në Kuvend edhe në pushtetin gjyqësor”,- tha Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Qendrës Maqedonase për Arsimim Evropian, Bojan Mariçiq, qeveria i ka injoruar raportet e KE-së për disa vite, andaj duhet kyçje e të gjitha palëve të involvuara.
“Mesazhi është i qartë se qeveria aktuale nuk mban kursin e reformave dhe se Maqedonia ka marrë kahjen e gabuar. Në këtë kuptim janë edhe kushtet për zgjedhje korrekte dhe demokratike, edhe konstatimet se kemi shtet të robëruar, probleme sistemore serioze, por edhe mesazhi se nuk ka ikje nga reformat prioritare pavarësisht se cila parti do të vijë në pushtet”,- u shpreh Bojan Mariçiq nga Qendra Maqedonase për Arsimim Evropian.
Përpiluesit e analizës krahasuese theksuan se është koha e fundit që të ndërmerren veprime konkrete për zbatimin e reformave urgjente, në të kundërtën vendi do ta humb rekomandimin për anëtarësim.
SHPËTIM NUREDINI
