Maqedoni
Dorëzimi i listave, sonte në mesnatë skadon afati
11.11.2016 18:17
Sonte në mesnatë skadon afati për dorëzimin e listave për deputetë në KShZ...

Nga praktikat e deritashme, të interesuarit për të marrë pjesë në zgjedhje presin momentet e fundit për ta plotësuar këtë obligim ligjor, njofton Admir Shabani nga KShZ.
“Presim brenda ditës që të ketë frekuentim më të madh sa i përket çështjes së paraqitjes së listave. Zakonisht praktika e ka treguar se listat i dorëzojnë partitë dhe të interesuarit që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje në orët e pasdites, kështu që ne jemi të gatshëm, ne i presim listat”,- deklaroi Admir Shabani nga KShZ.
Sonte gjithashtu skadon edhe afati për inspektimin publik të Regjistrit Zgjedhor, afati për paraqitjen e shtetasve të Maqedonisë për të votuar në diasporë, si dhe afati i paraqitjes së personave të dhënat e të cilëve u konsideruan si jokonzistente.
“Deri sot në orën dy janë paraqitur gjithsej për votim në diasporë 19.074 persona, prej të cilëve 16.664 fletëparaqitje janë pranuar, 211 janë refuzuar, ndërsa fletëparaqitjet tjera janë në fazë të përpunimit. Sa i përket çështjes së paraqitjes së personave, të dhënat e të cilëve mbetën si të dhëna jokonzistente, gjithsej janë paraqitur 1326 persona, prej të cilëve 1301 fletëparaqitje janë konfrmuar”,- tha Admir Shabani nga KShZ.
Sipas Kodit Zgjedhor, pas dorëzimit të listave me kandidatë, KShZ në afat prej 48 orësh i shqyrton ato, më pas në rast mungese të ndonjë detaji i kthen për shqyrtim tek partitë dhe të paraqiturit për pjesëmarrje në zgjedhje, të cilët më pas kanë afat 48 orë t’i rregullojnë të njëjtat dhe t’i kthejnë në KShZ.
NAIM RAMADANI
