Botë

Shpërthimi në rafinerinë e Fierit, një i vdekur dhe shtatë të plagosur

11.11.2016 17:28

Një i vdekur dhe shtatë të plagosur është bilanci i shpërthimit në rafinerinë e naftës në Ballfsh të Fierit, vetëm dy muaj pas vënies në punë...

Ngjarja ka ndodhur natën e djeshme, teksa punëtorët ndërronin turnet. Shpërthimi i valvulës së pompës të hidrogjenit në repartin nr. 3 është shoqëruar me flakë të mëdha duke shkaktuar vdekjen e një personi.
 
Viktima është Shkëlqim Muça, 40-vjeç, ndërsa katër nga shtatë të plagosurit u dërguan në Tiranë për mjekim të specializuar, pasi kanë djegie të rëndë në trup, mbi 40%.
 
Numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, tha se gjendja e dy naftëtarëve paraqitet më e stabilizuar, ndërsa dy të tjerët ndodhen në kujdesin intensiv të mjekëve.
Tre personat e tjerë të plagosur që ndodhen në Fier, mes tyre edhe zjarrfikësi, Gramoz Fejzo, janë jashtë rrezikut për jetën.
 
Sipas dëshmive të para shpërthimi ka ndodhur në momentin e ndërrimit të turneve nga punëtorët, ndërsa në uzinë ishin mbi 30 persona në repartin ku ndodhi ngjarja.
 
Ekipet e emergjencave kanë evakuuar të gjithë punëtorët nga uzina, ndërsa zjarri në qendrën e përpunimit të naftës është shuar pas rreth 50 minutave.
 
LULJETA NDOKA