Ahmeti: Shqiptarët me marrëveshjen e Ohrit fituan lirinë, tani na duhet barazia
Lideri i BDI-së Ali Ahemeti në një intervistë për radion Evropa e Lirë...

Lideri i BDI-së Ali Ahemeti në një intervistë për radion Evropa e Lirë ka deklaruar se me firmosjen e Marrveshjes së Ohrit shqiptarët në Maqedoni kanë fituar lirinë por sipas tij ajo duhet materializuar me barazi të plotë me maqedonasit.
“Shqiptarët në Maqedoni me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit sigurisht se fituan lirinë, mirëpo tani, një nga prioritetet Bashkimit Demokratik për Integrim do të jetë që kjo liri të materializohet edhe me barazinë, sepse duke mos pasur barazi, sigurisht se edhe liria nuk mund të jetë ajo e tëra për të cilën kanë shpresuar qytetarët” – tha Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Marrëdhëniet ndëretnike janë një nga segmentet më të forta, ku duhet të investojnë të gjitha palët, sepse ky vend do të ketë të ardhme më të mirë duke pasur marrëdhënie të mira mes etnive ka theksuar Ahmeti.
Lidhur me garën zgjedhore Ahmeti ka thënë se kandidatët janë vullneti I shumicës së antarëve të partisë që drejton ai.
“Ky është vullneti i shumicës së anëtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim. BDI-ja funksionon si një lëvizje mjaft demokratike, ku respektohet vullneti i shumicës, ku respektohet vullneti i ndryshimeve, sigurisht që edhe në të ardhmen do të ketë prurje të reja” – u shpreh Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti ka folur edhe për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike. Ai ka thënë se e ardhmja e këtij vendi është në BE dhe NATO, duke shtuar se ka shumë qendra, të cilat punojnë në dëm të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.
Duke folur për Prokurorisë Speciale Ahmeti ka thënë se do vazhdojnë ta përkrahin edhe më tej. (Naim Ramadani, TVM2)
