SHBA, protesta edhe para Shtëpisë së Bardhë kundër Trump
Qindra persona në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara vijojnë të protestojnë për fitoren e Donald Trump....

Qindra persona në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara vijojnë të protestojnë për fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. Ata argumentojnë se republikani përbën një kërcënim për të drejtat civile të popullit, ndërkohë që kritikojnë premtimet në fushatën e republikanit dhe përfshirjen e tij në skandale seksuale. Aktivistët parashikojnë zhvillimin e mëtejshëm të protestave, të cilat mund të përshkallëzohen deri në një lëvizje masive përqark vendit.
Qindra protestues kundër Trump u mblodhën jashtë Shtëpisë së Bardhë mbrëmjen e së shtunës, në një manifestim paqësor, për të demonstruar kundër zgjedhjes së republikanit si president, me argumentin se ai kërcënon të drejtat e tyre civile dhe njerëzore.
Disa prej protestuesve recituan poezi dhe kënduan këngë të paqes dhe dashurisë, ndërkohë që të tjerë mbanin pankarta ku shkruhej “dashuria mposht urrejtjen”. Organizatorët thanë se ata donin të ruanin qetësinë pas disa netësh protesta të nxitura nga fitorja surprizuese e biznesmenit në zgjedhjet presidenciale.
Demonstrues në qytete të ndryshme kanë kritikuar premtimet e fushatës së republikanit për të ndaluar emigracionin dhe për të mos regjistruar muslimanët, si dhe pretendimet se biznesmeni është i përfshirë në skandale seksuale. Tubimet kanë qenë më së shumti paqësore, por në Portland, ato morën një kthesë të dhunshme, teksa protestuesit dëmtuan dhe vandalizuan një sërë pronash publike. Edhe ndërhyrja e policisë atje ka qenë e ashpër, pasi për shpërndarjen e turmës, është përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome. Dhjetëra protestues janë arrestuar dhe disa oficerë të policisë janë plagosur.
Teksa aktivistët analizojnë katër vitet e presidencës së Trump dhe partinë e tij e cila kontrollon të dyja dhomat e Kongresit, disa prej tyre paralajmërojnë se në vend, do të zhvillohen protesta të mëtejshme, të krahasuara edhe me lëvizjen Occupy Wall Street.
Sakaq, presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, reagoi mbi këto protesta duke thënë se ato ishin nxitur nga media, por ndryshoi kurs të premten, teksa vlerësoi demonstruesit për pasionin e treguar për vendin e tyre të mrekullueshëm.
