Maqedoni

KShZ pranoi pesë lista, refuzoi ato të PSD-së

14.11.2016 12:20

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i pranoi tërësisht listat e kandidatëve të pesë subjekteve politike...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i pranoi tërësisht listat e kandidatëve të pesë subjekteve politike, ndërsa hodhi poshtë listat e Partisë Social-demokratike të Maqedonisë, të cilat paraprakisht ishin kthyer në përpunim për shkak të parregullsive të konstatuara.
 
Sipas anëtarëve të KShZ-së, këto lista ishin kontestuese që në nënshkrimet e kandidatëve, pasi nënshkrimi i kandidatit të njëjtë rezultonte i ndryshëm në dokumente të ndryshme. 
 
“Listat e kandidatëve të parashtruara nga kjo parti, para së gjithash janë ofendim dhe nënçmim i njohurive dhe dinjitetit të çdo anëtari të KShZ-së”,- deklaroi anëtari i KShZ-së, Bedredin Ibrahimi.
 
“Mendoj se si KShZ duhet të marrim vendim që të hedhim poshtë këto lista, pasi duhet të themi se, si KShZ, u vumë në huti që në fillim nga shërbimi juridik i KShZ-së, i cili është i përbërë nga përfaqësues të katër partive politike”,- theksoi anëtarja e KShZ-së, Silvana Boneva.
 
KShZ paraprakisht vërtetoi listat e Koalicionit për ndryshime dhe drejtësi, të Koalicionit “VMRO për Maqedoninë”, listat e Koalicionit “Aleanca për shqiptarët”, dhe listat e “Të Majtës” dhe të Partisë Liberale.
 
Në këtë seancë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet ta shqyrtojë dhe miratojë Raportin përfundimtar për paraqitjet e votuesve të kontestueshëm si dhe Raportin përfundimtar për paraqitjet e dorëzuara nga shtetasit e Republikës së Maqedonisë, të cilët janë në punë ose qëndrim të përkohshëm jashtë vendit, e që janë paraqitur për votim në përfaqësitë diplomatike konsulare.
 
Ndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e së shtunës mbrëma i pranoi listat e kandidatëve për deputetë të 13 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare më 11 dhjetor.
 
Shorti për radhitjen e listave të kandidatëve për zgjedhjet duhet të mbahet më 20 nëntor, një ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore.
 
SHPËTIM NUREDINI