Botë

Trump: do t’i përmbush premtimet e dhëna

14.11.2016 12:39

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, thotë se do të deportojë dy deri në tre milionë imigrantë pa dokumente...

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, thotë se do të deportojë dy deri në tre milionë imigrantë pa dokumente që kanë të kaluar kriminale kur të marrë pushtetin dhe do të mbajë premtimin e tij të fushatës për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit ShBA-Meksikë për të penguar rrjedhën e imigrimit ilegal në vend.

“Njerëzit që janë kriminelë dhe kanë të kaluar penale, anëtarët e bandave, tregtarët e drogës, shumë nga këta njerëz, ndoshta dy milionë, apo mund të jenë edhe tre milionë, do t’i nxjerrim nga vendi ynë ose do t’i burgosim”,- ka thënë presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, për emisionin “60 minutes” të kanalit CBS, i cili ka shtuar se do të dëbohen nga vendi, sepse ata janë këtu në mënyrë të paligjshme.

Në përgjithësi, rreth 11 milionë emigrantë pa dokumente jetojnë në Shtetet e Bashkuara, por Trump tha se pas vendosjes së sigurisë në kufi dhe kthimit të grupit fillestar të imigrantëve që kanë thyer ligjin, qeveria e tij do të vendosë se çfarë do të bëjë me miliona imigrantët e tjerë pa dokumente që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.