Opozita pëson rënie të mbështetjes
RDK kontestoi procesin zgjedhor në tërësi, ndërsa PDSH vetëm rezultatin e BDI-së, madje shprehu gatishmëri që të fillojë bisedimet me VMRO-DPMNE-në për krijimin e Qeverisë së re, pavarësisht që BDI është fituese absolute në bllokun shqiptar…….

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare rezultuan me rritjen e numrit të votave për partinë shqiptare në pushtet dhe VMRO-DPMNE-në, ndërsa rënie e numrit të deputetëve të opozitës. Megjithatë rezultatet u kontestuan menjëherë nga opozita.
RDK kontestoi procesin zgjedhor në tërësi, ndërsa PDSH vetëm rezultatin e BDI-së, madje shprehu gatishmëri që të fillojë bisedimet me VMRO-DPMNE-në për krijimin e Qeverisë së re, pavarësisht që BDI është fituese absolute në bllokun shqiptar.
“Rezultati është i kënaqshëm, shumë i mirë për PDSH-në, ndërsa BDI-së i themi që të mos festojë kot se s’e kam ndërmend që t’ua pranoj rezultatet. Janë përafërsisht 57000 vota të vjedhura, të marra me dhunë dhe me kërcënim. Sipas të gjitha gjasave, PDSH do të ketë 8-9 deputet, të mjaftueshëm për të vazhduar bisedimet për të qenë në Qeveri”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Për dallim nga PDSH, RDK ka kontestuar procesin zgjedhor në tërësi dhe ka kërkuar formimin e një Qeverie teknike.
“Për RDK-në këto zgjedhje janë në tërësi jodemokratike, jolegjitime, të papranueshme dhe ky pushtet që do të del nga këto zgjedhje për ne është i papranueshëm. Rrugëdalje e vetme nga kjo situatë mund të jetë vetëm një Qeveri teknike”, theksoi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.
Ndryshe, në mandatin e kaluar PDSH dhe RDK kishin nga një deputet më shumë, përkatësisht PDSH kishte tetë deputet, ndërsa RDK dy. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
