Maqedoni

Dita Botërore e Luftës Kundër Diabetit, në Maqedoni 185.000 të prekur nga diabeti

14.11.2016 16:32

Ngritja e vetëdijes publike për diabetin dhe masat për parandalim dhe përballje më të mirë...

Ngritja e vetëdijes publike për diabetin dhe masat për parandalim dhe përballje më të mirë, ishin thirrjet e shoqatave për mbrojtje dhe edukim të diabetikëve me rastin e shënimit të Ditës botërore të luftës kundër diabetit.
 
Vlerësohet se numri i personave madhorë me diabet në Maqedoni arrin në rreth 185.000, apo 12 për qind në tërë popullatën. Ndërsa furnizimi me insulinë, e sidomos cilësia e saj, paraqet problem për diabetikët në vend. 
 
“Ka raste kur pacientët ankohen se insulina nuk ka efekt dhe duhet të kërkohet përgjegjësi nga institucionet kompetente pse është ajo ashtu, a është në të vërtetë insulina me cilësinë që duhet pasur, a është insulina e duhur? Ndodh që kur merret insulina të matet sheqeri pas një ore ose një ore e gjysmë dhe të ketë nivel të lartë të glukozës”,- deklaroi Bojan Kirov nga Shoqata për mbrojtjen e diabetikëve.
 
Sëmundja e diabetit ndahet në dy lloje: lloji i parë ka të bëjë me grupmoshat e reja, përkatësisht fëmijët që trashëgojnë viruse që kanë  prekur nënën gjatë shtatzënisë dhe lloji i dytë prekë moshat mbi 40 vjeç, ku si shkaktar është stresi dhe mbipesha, thonë mjekët.
 
“Grupmosha që i prek fëmijët me diabetin tip një është se ata fëmijë mund të kenë ndonjë virus që e ka prekur nënën gjatë  shtatzënisë, atëherë fëmija mund të ketë pasoja nga diabeti. Bëhen shumë analiza nëpër laboratori të ndryshme gjenetike që të shihet faktori kryesor pse është diabeti një. Diabeti dy prek moshat mbi 40 vjeç te personat që kanë stres, kanë mbipeshë ose ndonjë problem tjetër jetësor dhe u paraqitet diabeti, ku ata duhet të marrin terapinë orale”,- tha mjekja, Sefiana Bellçishta.
                                                           
Pagjumësia, urinimi i shpeshtë, dhimbjet nëpër muskuj janë  simptomat e para që mund të vërehen te personat me hiperglikemi.
 
Sipas vlerësimeve të fundit të Federatës ndërkombëtare për diabet konsiderohet se rreth 120 milion njerëz në botë, apo 8,8% e popullatës madhore, janë të prekur nga sëmundja e diabetit, prej të cilëve 95% bëjnë pjesë në diabetin e tipit dy.
 
Pacientët me këtë sëmundje duhet të mirëmbajnë sheqerin, të bëjnë vet kontroll, të hanë ushqime dietale, të bëjnë aktivitete fizike, si dhe të këshillohen me mjekët për barnat e duhura. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI