Maqedoni

Manastir, 108 vjet Kongresi i shkronjave shqipe; Mustafa: Gjuha shqipe po devijohet, nevojiten sanksione

14.11.2016 18:12

Alfabeti i gjuhës shqipe po shënon ditëlindjen e 108-të nga krijimi i saj...

Më 14 Nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit, ose Kongresi i Alfabetit me 150 delegatë, me qëllim krijimin e një alfabeti të njësuar, që do të ishte edhe fillimi i letërsisë mbarëshqiptare.
 
Prijës i kongresit ishte Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe apo greke, por me alfabet latin. 
 
Albanologu, Avzi Mustafa, thotë se me këtë iniciativë shqiptarët treguan se duan integrimin në Europë, duke lënë mënjanë alfabetin e Stambollit dhe përpiluar alfabetin latin me 36 shkronja.
 
Gjithashtu u la amanet që gjuha shqipe, e krijuar nëpërmjet shkronjave, të kultivohet, begatohet siç duhet ndër vite. Por, në kohërat e sotme gjuha po shtrembërohet, duke filluar nga institucionet, nëpër librat shkollorë, si dhe në të folurit, duke u përdorur lokalizma, tha Mustafa.
 
“Kjo që sot ndodh në momentet e kohës së tanishme është për t’u brengosur, se nuk i japim shumë rëndësi gjuhës shqipe. Unë mendoj se në një të ardhme shqiptarët kudo që janë, qoftë në shtetin amë, ose në Kosovë, por edhe në Shqipëri, dhe shqiptarët e Maqedonisë të sjellin disa mekanizma për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ashtu siç kanë sjellë popujt e botës, sidomos në Amerikë, Francë, Kroaci e shumë vende të tjera, që me xhelozinë më të madhe e mbrojnë gjuhën shqipe, duke i sanksionuar ata të cilët bëjnë gabime”,- deklaroi albanologu, Avzi Mustafa.
 
Në Kongresin e Alfabetit gjithashtu u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.
 
Kongresi vendosi ngritjen e shtypshkronjës shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.
 
MERAL ISMAILI